Një grabitje me armë zjarri është regjistruar në orët e para të mëngjesit në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Disa persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e një qytetari rreth orës 04:05 dhe, nën kërcënimin e armës, kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash.
Sipas Policisë, autorët janë larguar me automjete, por kur kanë konstatuar mbërritjen e shërbimeve policore, kanë braktisur mjetet dhe janë zhdukur në një zonë kodrinore, duke përfituar nga errësira.
Gjatë kontrolleve në zonë, policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automjete, si dhe veshje të ngjashme me uniformat e efektivëve të Policisë. Janë sekuestruar edhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë hetimet.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të grabitjes.


