Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka dënuar incidentin e ndodhur gjatë protestës së një dite më parë në Tiranë, ku disa protestues kanë hequr flamurin e Vatikanit nga Nunciatura Apostolike dhe më pas, sipas deklaratës, duket se e kanë djegur së bashku me objekte të tjera.
Në një deklaratë për mediat, të publikuar këtë të mërkurë, Konferenca Ipeshkvnore e cilëson aktin të papranueshëm, duke theksuar se është cenuar simboli i Selisë së Shenjtë dhe është krijuar pasiguri për stafin e përfaqësisë diplomatike.
“E drejta e protestës nuk përfshin të drejtën e dhunës ndaj askujt e aq më tepër ndaj miqve të vendit tonë”, thuhet në reagim.
Konferenca Ipeshkvnore i ka shprehur mbështetjen Nuncit Apostolik në Shqipëri, imzot Miroslaw Adamczyk, dhe stafit të tij, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të marrin masa parandaluese për mbrojtjen e përfaqësive diplomatike, në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Në të njëjtën deklaratë, Ipeshkvnorja dënon dhunën pavarësisht se nga cila palë ushtrohet, duke përfshirë edhe rastet kur veprimet e institucioneve shtetërore cenojnë jetën dhe shëndetin e protestuesve.
Ajo bën thirrje për qetësi, paqe dhe dialog, duke shprehur lutjen që incidente të tilla të mos përsëriten.
Deklarata mban datën 14 tetor 2026 dhe është bërë publike nga Zyra e Shtypit e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.


