Hysen Bashhysa: Një jetë në shërbim të artit

Date:

Share post:

Në qytetin bregdetar të Durrësit, ku valët e Adriatikut përcjellin freski dhe frymëzim për çdokënd dhe veçanërisht për artistët, lindi dhe u rrit një nga figurat më të shquara të skenës durrsake, aktori Hysen Bashhysa. Sot, më 16 shtator, në 77-vjetorin e tij të lindjes, ne tek “Zëri Online”, ashtu si teatri dhe artdashësit e shumtë, i urojmë një ditë të mbushur me dashuri dhe emocion, ashtu siç ai ka dhuruar në dekada të tëra për publikun e tij.

Ceni, siç e thërrasin miqtë dhe kolegët, është një emër i njohur për qytetarët e Durrësit. Karriera e tij e pasur artistike përfshin role të shumta në teatër dhe kinema. I lindur më 1947, ai u bë shpejt një figurë qendrore e teatrit dhe estradës së Durrësit, duke fituar respektin e artistëve të mëdhenj si Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Spiro dhe Vera Urumi, Teodor Rupi dhe Todi Thanasi të cilët i ofruan mikpritjen e tyre të ngrohtë kur ai hyri për herë të parë në botën e teatrit në moshën 23-vjeçare. Roli i parë në teatër ishte ai i majorit në një dramë të Minush Jeros, “Të pamposhturit”, një rol impenjativ që i dha një vend në teatër.

Sukseset pasuan shpejt dhe në vitin 1972, kur ishte 25 vjeç, Bashhysa arriti një kulm të karrierës së tij me rolin në dramën e Kujtim Spahivoglit “Një shok i klasës sonë,” nën regjinë e Vangjel Hebës. Ky interpretim e vulosi vendin e tij mes yjeve të teatrit.

Portretizimi i heronjve të mirënjohur të historisë sonë si Mic Sokoli e Isa Boletini e gdhendi portretin e tij aktorial tek publiku. Megjithatë në një intervistë të realizuar nga teatri “Alekandër Moisiu”, aktori shprehet se mes dramës dhe komedisë ka dashur më shumë rolet në komedi, pavarësisht pamjes dhe karakterit të tij serioz dhe autoritar. Ai veçon rolin e Eugjenit te shfaqja “Tango” e Mrozhek me regjia nga Driada Dervishi. Me këtë rol, në vitin 2008, Bashhysa fitoi çmimin e parë në Festivalin mbarëshqiptar të Dramës Shqipe në Dibër të Maqedonisë së Veriut”, duke u vlerësuar nga kritika për interpretimin e tij të jashtëzakonshëm.

Ajo që e bënte Cen Bashhysën të veçantë ishte potenciali i tij artistik i natyrshëm, paraqitja dhe aftësia për të përçuar emocionet e roleve me një forcë të jashtëzakonshme. Figura e tij në skenë kombinohej me një interpretim të thellë dhe të ndjerë, duke bërë që çdo rol i tij të mbetej gjatë në mendjen e spektatorit. Energjia dhe pasioni i tij për artin, të dukshme që në ditët e para të karrierës, e shndërruan atë në një nga figurat e teatrit dhe kinemasë shqiptare.

Por Bashhysa nuk u ndal vetëm në teatër. Ai u bë pjesë aktive e estradës, duke interpretuar poezi nga emra të mëdhenj të letërsisë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Majakovski, Robert Bërns etj.

Ai luajti edhe në filma, duke marrë pjesë në 15 prodhime kinematografike, të cilat e pasuruan përvojën e tij dhe kontribuuan në formimin e tij artistik. Ndër filmat ku ai interpreton janë: “Rikonstruksioni”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “Dorina”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Gërsheti i luftrave”, “Një prej nesh” etj.

Teatri ka qenë për të jo vetëm një vend pune, por një strehë, një shkollë dhe një burim i pashtershëm gëzimi dhe edukimi. Në moshën 77-vjeçare, Hysen Bashhysa mbetet një simbol i artit dhe i trashëgimisë që ka lënë pas, ndërsa vazhdon të ngjitet në skenë dhe të jetë pjesë e aktiviteteve të ndryshme kulturore. Ai kujton se çdoherë që ngjitej në skenë dridhej nga emocionet, të cilat me kalimin e viteve nisi t’i menaxhonte, por ato asnjëherë nuk e lanë në daljet në skenë, si shenjë e përgjegjshmërisë ndaj skenës, veprës dhe artdashësve.

Përveç karrierës së tij të jashtëzakonshme, Hysen Bashhysa ka pasur një ndikim të fortë artistik edhe tek e bija, artistja Keti Bashhysa. Duke interpretuar krah për krah me të atin në spektaklet e saj vjetore, Keti jo vetëm që ka ndjekur gjurmët e artit të familjes, por ka ndërtuar një stil të saj, me mbështetjen e të atit.

“Ai është kritiku më i mirë dhe të cilit i besoj më shumë. Ka goxha kritika deri në momentin e fundit që dal në skenë. Dhe më shtyn që të punoj më shumë. Ka gjithnjë më mirë, thotë. Dhe një këshillë që më jep vazhdimisht është: Gjithnjë përkrahi talentet e rinj! Këtë ka bërë dhe ai vetë”, thotë Keti Bashhysa. 

Kjo marrëdhënie artistike midis babait dhe bijës është një dëshmi e vazhdimësisë së artit në familjen Bashhysa, duke pasuruar më tej traditën.

Sipas Bashhysës, pasioni dhe dashuria për teatrin dhe aktrimin janë çelësi i suksesit për çdo aktor, krahas punës për realizimin e çdo roli.

Gëzuar ditëlindjen, Ceni! Qofsh gjithnjë frymëzim për brezat e rinj!

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Shkodër, Shpërthim me lëndë plasëse në oborrin e një banese

Një shpërthim i vogël është regjistruar mbrëmjen e sotme në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër. Sipas informacionit paraprak të...

12 vite burg për të miturin që vrau me thikë bashkëmoshatarin në Maliq

Gjykata e Korçës ka dënuar me 12 vite burg Enedio Gurin, i cili në gusht të vitit 2025...

Policia konfirmon një ditë më pas arrestimin e Haki Kokës në Durrës, 30-vjeçari u kap me pistoletë

Policia e Durrësit ka konfirmuar zyrtarisht një ditë pas ngjarjes arrestimin e 30-vjeçarit Haki Koka, i cili u...

Arratisja e shqiptarit nga burgu, gjendet makina e bashkëpunëtorëve, brenda saj kallashnikov dhe municione

Policia greke ka nisur një operacion të gjerë për lokalizimin dhe arrestimin e të burgosurit shqiptar 41-vjeçar, i...