Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në kryeqytet, ku dy vëllezër humbën jetën dhe vëllai i tyre u plagos pas një konflikti që përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas njoftimit të Policisë, konflikti ndodhi mes shtetasit Ngushëllim Manzi, 40 vjeç, dhe tre vëllezërve Selami Islami, Nazmi Islami dhe Shefqet Islami.

Gjatë përplasjes mes fqinjëve, situata u përshkallëzua dhe u përdor arma e zjarrit. Si pasojë, Selami Islami, rreth 30 vjeç, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Nazmi Islami, 48 vjeç, dhe Shefqet Islami, rreth 44 vjeç, mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në spital.
Pavarësisht ndihmës mjekësore, 48-vjeçari Nazmi Islami nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital. Ndërkohë, vëllai i tretë, Shefqet Islami, vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, Policia ka arrestuar Ngushëllim Manzin, 40 vjeç, i cili, sipas autoriteteve, është punonjës i Policisë Ushtarake.
Gjithashtu, gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar një pistoletë, e dyshuar si arma e përdorur në krim.
©ZëriOnline


