Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, në një kohë kur institucionet e vendit janë vënë nën presion për mënyrën se si u trajtua rasti i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, sipas së cilës Albin Kurti ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra.
Pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Kurti ka caktuar Fehmi Hotin si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Dorëheqja e Hoxhës vjen pas protestave dhe reagimeve të shumta publike dhe hetimeve mbi veprimet e institucioneve, pasi Arlinda Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga policia dhe prokuroria, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Në lidhje me rastin, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar pezullimin e 11 zyrtarëve policorë, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pezulluar kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri. Ndaj tyre janë paralajmëruar edhe procedura hetimore e disiplinore.
©ZëriOnline


