Skulpturat mbi bar dhe parkimi me 3 kate nëntokë, çfarë ndodh me Mauzoleun e Dëshmorëve në Durrës?

Date:

Share post:

Skulptura në gur dhe allçi të vendosura mbi bar, disa prej tyre të mbuluara me qese plastike për t’u mbrojtur nga shiu. Qese që mbahen nga kompozime të artistëve të njohur durrsakë, si dhe inerte. Këto janë pamjet nga ambientet e Mauzoleut të Dëshmorëve në Durrës, ku po kryhen punime rikonstruksioni. Ndërkohë, për sheshin pranë mauzoleut është propozuar një parkim nëntokësor me tri nivele, në një zonë ku janë zbuluar gjurmë të qytetërimit antik.

Dy projekte që lidhen me të njëjtën hapësirë, por që ngrenë pikëpyetje të ndryshme: si po ruhen objektet artistike të zhvendosura gjatë rikonstruksionit dhe si do të garantohet mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike në rast të gërmimeve për parkimin nëntokësor?

Pamjet e skulpturave të vendosura jashtë, në kontakt me kushtet atmosferike, kërkojnë sqarime nga institucioni dhe strukturat përgjegjëse. Çfarë përfaqësojnë këto objekte? A janë pjesë e inventarit të Mauzoleut dhe ku do të vendosen pas përfundimit të punimeve?

Vetëm nga pamjet nuk mund të arrihet në përfundimin se skulpturat janë dëmtuar apo se janë shkelur procedurat, megjithatë, mënyra e ruajtjes së tyre gjatë ndërhyrjes është një çështje që meriton kujdes e transparencë.

Për rikonstruksionin e Mauzoleut të Dëshmorëve, Bashkia Durrës ka zhvilluar një procedurë prokurimi me fond limit prej 47,998,000 lekësh pa TVSH.

Sipas të dhënave të publikuara në Open Procurement Albania, fituese është shpallur kompania “MARTINI KONSTRUKSION & REAL ESTATE” sh.p.k., me ofertë prej 35,026,496 lekësh pa TVSH. Në procedurë, UDHA sh.p.k. figuron si subjekt mbështetës.

Oferta fituese është rreth 13 milionë lekë më e ulët se fondi limit, ndërsa afati i parashikuar për realizimin e punimeve është 168 ditë.

Edhe mbikëqyrja e punimeve është prokuruar veçmas. Për këtë shërbim është shpallur fituese kompania “G B Civil Engineering”, me ofertë prej 598,157 lekësh pa TVSH.

Përtej kostos dhe afateve të investimit, një element që kërkon vëmendje është trajtimi i objekteve artistike që janë zhvendosur gjatë ndërhyrjes. Ruajtja, inventarizimi dhe sistemimi i tyre duhet të jenë pjesë e procesit të rikonstruksionit.

Parkim nëntokësor me tri nivele, investim 500 milionë lekë

E ndërsa rikonstruksioni i Mauzoleut është në proces, për të njëjtën hapësirë është propozuar një tjetër investim me përmasa të konsiderueshme.

Në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit Bashkiak, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, deklaroi se qyteti do të pajiset me parkime nëntokësore, njëri prej të cilëve parashikohet pranë Mauzoleut të Dëshmorëve.

Sipas termave të referencës, projekti parashikon ndërtimin e një parkimi me tri kate nëntokë, me sipërfaqe rreth 3,120 m2 për kat. Investimi parashikohet në vlerën prej 500 milionë lekësh pa TVSH. Procesi i prokurimit e zbatimit do të ndiqet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa numri përfundimtar i vendeve të parkimit pritet të përcaktohet gjatë projektimit.

Ideja është që hapësira nëntokësore të shërbejë për parkimin e automjeteve, ndërsa sipërfaqja mbi të të sistemohet për përdorim publik. Por projekti përballet me një sfidë të rëndësishme: pozicionin e tij në një zonë me vlera historike dhe arkeologjike.

Duhet theksuar se bëhet fjalë për një projekt të propozuar dhe jo për një parkim të ndërtuar apo një ndërhyrje të përfunduar. Ndaj vlerësimi i ndikimit të mundshëm në trashëgiminë arkeologjike duhet të jetë pjesë e procesit të projektimit dhe miratimit.

Sipas arkeologëve durrsakë, nga kërkimet arkeologjike edhe në këtë zonë janë evidentuar struktura të periudhës romake, përfshirë pjesë të një kompleksi termal, mure, kanale dhe dysheme me mozaikë. Këto zbulime dëshmojnë se edhe kjo pjesë e qytetit është pjesë e zhvillimit urban të Dyrrahut antik, ashtu si dhe zona të tjera përgjatë rrugës “Aleksandër Goga”.

Disa prej strukturave arkeologjike janë evidentuar në thellësi rreth 1 deri në 1.5 metra. Ndërkohë, ndërtimi i një parkimi me tri nivele do të kërkojë gërmime në thellësi të konsiderueshme, gjë që e bën të domosdoshëm studimin e plotë të nëntokës dhe përcaktimin e masave konkrete për mbrojtjen e gjetjeve.

Kjo, padyshim, nënvizon ZO, nuk do të thotë se projekti do t’i dëmtojë patjetër strukturat antike, por lind nevoja për të njohur studimet e kryera dhe a parashikohen masa mbrojtëse dhe si do të veprohet nëse gjatë gërmimeve zbulohen gjurmë të tjera të qytetërimit antik.

Përtej problematikës së parkimeve, që nga vëzhgimet e ZO në terren, ka përmirësim të dukshëm sapo rrugët u bënë me pagesë, dhe që parkimi nëntokësor synon të zgjidhë duhet vlerësuar pasoja. Si do të bashkëjetojnë rikonstruksioni i Mauzoleut dhe projekti i propozuar i parkimit nëntokësor?

A janë koordinuar të dyja ndërhyrjet në një plan të përbashkët? A është vlerësuar ndikimi që mund të kenë gërmimet dhe punimet nëntokësore mbi mauzoleum, godinat dhe hapësirat përreth?
Nëse pas përfundimit të rikonstruksionit do të nevojiten ndërhyrje të tjera për ndërtimin e parkimit, si do të shmangen punimet e përsëritura dhe shpenzimet shtesë nga fondet publike?

Këto janë çështje që kërkojnë përgjigje nga Bashkia Durrës si propozuese e vendit për ndërtimin e parkimit dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Ato nuk nënkuptojnë se projekti i parkimit përbën domosdoshmërisht rrezik për Mauzoleun, por se planifikimi i dy investimeve duhet të bëhet në koordinim të plotë.

Durrësi ka nevojë për zgjidhje të problemit të parkimit dhe për hapësira publike të mirëorganizuara, por ka edhe detyrimin për të ruajtur trashëgiminë historike dhe arkeologjike. Këto dy objektiva nuk janë të papajtueshme, nëse ndërhyrjet mbështeten në studime, vlerësime profesionale dhe transparencë.

Edhe pamjet e skulpturave të vendosura mbi bar kërkojnë një reagim konkret institucional.

Suksesi i këtyre investimeve nuk duhet të matet vetëm me pamjen e re të Mauzoleut apo me numrin e vendeve të parkimit që do të krijohen. Ai duhet të matet edhe me atë që ruhet gjatë punimeve, sepse nuk mjafton të rikonstruktosh një objekt, apo të restaurosh të tjerë nëse nuk garanton mbrojtjen e tyre në ndërhyrjet e ardhshme. Po aq e rëndësishme është që krijimi i infrastrukturës së re të mos bëhet në kurriz të dëshmive të pazëvendësueshme të historisë së Durrësit.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Vrasja e Arlinda Zekajt, jep dorëheqjen drejtori i Policisë së Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, në një kohë kur...

Nga 1 mijë deri në 4 mijë lekë ryshfet, tre shoferë kapen mat në Durrës

Tre drejtues automjetesh janë proceduar penalisht në Durrës, pasi tentuan të korruptonin efektivët e Policisë Rrugore për t’i...

Maqedonia e Veriut/Arrestohet pronari i ‘Sante Plus’ Bilal Kara, në kërkim dhe nga Shqipëria

Bilal Kara, pronari i spitalit privat “Sante Plus”, është arrestuar në Maqedoninë e Veriut në kuadër të një...

Ndahet nga jeta gazetari, diplomati dhe ish-deputeti, Bashkim Zeneli

Diplomati dhe ish-deputeti Bashkim Zeneli është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare. Ai ka ndërruar jetë në një...