Pasojat e pasivizimit të adresave në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc mbeten në fokusin e një hulumtimi të publicistit Refik Hasani, i cili ngre shqetësimin për të drejtat qytetare dhe pozitën e shqiptarëve në Serbi.
Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc vijon të jetë një problem i pazgjidhur, me pasoja që shtrihen përtej procedurave administrative. Çështja prek të drejtat e qytetarëve dhe ngre shqetësime për përfaqësimin dhe perspektivën demografike të shqiptarëve në këtë rajon.
Në hulumtimin e tij me titull “Hulumtim mbi efektet administrative, demografike, politike dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi”, Refik Hasani trajton ndikimin e kësaj praktike në jetën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas autorit, pasojat e pasivizimit nuk kufizohen vetëm në aspektin administrativ, por prekin edhe dimensione politike, shoqërore dhe demografike, duke e bërë këtë çështje një shqetësim që kërkon trajtim më të gjerë. Shpesh duke i hequr të drejtën e votës dhe vendimmarrjes shqiptarëve të Luginës.
Hulumtimi është publikuar edhe në gazetën shqiptare në Itali “Rrënjët – Le Radici”, në numrin e shtatorit, duke sjellë në vëmendje të publikut përtej Shqipërisë një problematikë që prej vitesh prek shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Pasivizimi i adresave kërkon vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Shqetësimet lidhen me pasojat që kjo praktikë sjell në ushtrimin e të drejtave qytetare dhe në të ardhmen e shqiptarëve në këtë pjesë të Serbisë.
Dokumentimi dhe ndërkombëtarizimi i kësaj problematike mbeten, sipas Hasanit, të rëndësishme për të nxitur reagimin institucional dhe për të kërkuar zgjidhje konkrete për një çështje që vazhdon të jetë e hapur.
©ZëriOnline


