Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Demiraj të Gjilanit, ku një 27-vjeçar dhe foshnja e tij, vetëm tre muajshe, janë gjetur pa shenja jete në një banesë. Për rastin dyshohet babai i të riut, një 65-vjeçar, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Ngjarja u zbulua mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:47, pas një njoftimi për praninë e dy personave të pajetë në banesë. Në vendngjarje mbërritën policia, Prokurori i Shtetit dhe ekipi mjekësor i urgjencës, i cili konstatoi vdekjen e të riut, të lindur në vitin 1999, dhe foshnjës.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda familjes. Babai i 27-vjeçarit, 65 vjeç, është arrestuar si i dyshuar dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”. Ndërkohë, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj tragjedie.


