Tragjedia hekurudhore në Spanjë i merr jetën edhe kompozitores së njohur Marisa Manchado

Date:

Share post:

Fituesja e Çmimit Kombëtar të Muzikës 2024 udhëtonte drejt Seviljes për një aktivitet kushtuar krijimtarisë së saj. Bilanci i aksidentit tragjik në Urda mbetet 69 viktima dhe mbi 200 të plagosur.

Tragjedia hekurudhore në Spanjë i ka marrë jetën edhe kompozitores së njohur Marisa Manchado Torres, një prej figurave të rëndësishme të muzikës bashkëkohore spanjolle dhe fituese e Çmimit Kombëtar të Muzikës në vitin 2024.

70-vjeçarja udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes, ku ishte e ftuar në një takim të organizuar nga universiteti, kushtuar veprës dhe krijimtarisë së saj. Vdekja e saj u konfirmua nga mediat spanjolle më 31 tetor, duke shkaktuar reagime dhe dhimbje në komunitetin artistik.

E lindur në Madrid në vitin 1956, Manchado la pas një karrierë të pasur si kompozitore, pianiste, pedagoge dhe muzikologe. Katalogu i saj përfshin më shumë se 150 vepra, nga muzika simfonike dhe e dhomës, te opera dhe krijimtaria elektroakustike.

Çmimin Kombëtar të Muzikës e mori në vitin 2024 për operën “La Regenta”, një vepër e vlerësuar për qasjen bashkëkohore dhe angazhimin e saj në promovimin e barazisë gjinore përmes artit.

Përtej krijimtarisë, Manchado u bë një zë i rëndësishëm në promovimin e grave në muzikë. Në vitin 1982 drejtoi programin radiofonik “Mujeres en la Música” (“Gratë në muzikë”), ndërsa libri i saj “Música y mujeres, género y poder” (“Muzika dhe gratë, gjinia dhe pushteti”), botuar më 1998, u kthye në një kontribut të rëndësishëm në këtë fushë. Po atë vit themeloi Shoqatën e Kompozitorëve të Madridit, duke qenë presidentja e saj e parë.

Ajo publikoi gjithashtu librin “¡Mis queridas genias!” në vitin 2023, përmes të cilit nderoi kompozitoret që kishin frymëzuar rrugëtimin e saj artistik.

Aksidenti i rëndë hekurudhor ndodhi më 28 tetor në zonën e Urdas, në provincën e Toledos, ku dy trena të shpejtësisë së lartë, një i kompanisë Iryo dhe një i Renfes, u përfshinë në një përplasje tragjike.

Bilanci zyrtar mbetet 69 viktima dhe mbi 200 të plagosur. Sipas të dhënave të publikuara më 1 nëntor, janë identifikuar 56 prej personave që humbën jetën, ndërsa autoritetet vijojnë procesin e identifikimit dhe njoftimit të familjarëve. Dhjetëra të plagosur vijojnë të marrin trajtim spitalor, disa prej tyre në terapi intensive.

Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë. Raportet paraprake kanë evidentuar një zinxhir problemesh operative pas një defekti në sistemin e sinjalizimit dhe sigurisë, por autoritetet kanë theksuar se të gjitha hipotezat mbeten të hapura. Regjistruesit e të dhënave të trenave janë sekuestruar për analizë, ndërsa po shqyrtohen komunikimet mes drejtuesve, qendrës së kontrollit dhe operatorëve hekurudhorë.

Ndërkohë, gjykata ka kërkuar shtimin e mjeteve dhe personelit për të vijuar pa ndërprerje kërkimet në zonën e aksidentit dhe për të mbledhur provat e nevojshme për hetimin.

Qeveria spanjolle pritet të miratojë më 3 nëntor një paketë ndihme për viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa ministri i Transportit, Óscar Puente, do të paraqesë një raport mbi tragjedinë.

Vdekja e Marisa Manchado i shtohet bilancit tragjik të një aksidenti që ka tronditur Spanjën, duke ndërprerë në mënyrë të papritur jetën e një artisteje, e cila ia kushtoi dekada muzikës, kërkimit dhe promovimit të krijimtarisë së grave.

spot_img

Artikuj të lidhur

Tragjike në Shkodër, makina del nga rruga dhe përplas për vdekje këmbësoren

Një aksident tragjik është regjistruar pasditen e sotme në Shkodër, ku një 67-vjeçare ka humbur jetën pasi është...

Vrau në Selanik Spartak Dervishin, arrestohet e 26-vjeçari shqiptar

Policia greke ka arrestuar 26-vjeçarin shqiptar Romarjo Tahiraj, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Spartak Dervishit...

Tragjedi në Gjilan/ Pranga 65-vjeçarit për vdekjen e djalit dhe mbesës 3-muajshe

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Demiraj të Gjilanit, ku një 27-vjeçar dhe foshnja e tij, vetëm...

Kosovë/Gjenden pa jetë një 27-vjeçar dhe një foshnjë

Një 27-vjeçar dhe një foshnjë janë gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës, 1 nëntor, brenda një...