Arrestohet Eduart Dushku, u kap i armatosur në Rrugën e Elbasanit

Date:

Share post:

Eduart Dushku, 49 vjeç, i njohur si “i forti i Saukut”, ka përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës, pasi efektivët e kapën duke transportuar një armë zjarri me motomjet.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Eksponenti”, të zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Sipas njoftimit zyrtar, policia ndaloi Dushkun për kontroll në Rrugën e Elbasanit, ku gjatë verifikimit të motomjetit gjeti një pistoletë me municion. Policia dyshon se 49-vjeçari synonte ta trafikonte armën.

Pas arrestimit, efektivët kontrolluan edhe banesën e tij, ku gjetën një jelek antiplumb. Policia sekuestroi pistoletën, municionin, jelekun antiplumb, motomjetin dhe telefonin celular të Dushkut.

Policia e Tiranës e identifikon 49-vjeçarin si person me precedentë të theksuar për krime kundër jetës dhe armëmbajtje, ndërsa materialet procedurale ia ka referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, finalizuan operacionin e koduar “Eksponenti”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Motomjeti me të cilin lëvizte ky shtetas, u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit. Gjatë kontrollit në të, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën dyshohet se shtetasi E. D. do ta trafikonte.Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet 1 jelek antiplumb. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.“-njofton policia.

Kush është Eduart Dushku?

Eduart Dushku, i njohur edhe me emrin Edison Dushku dhe nofkën “i forti i Saukut”, është një personazh i njohur në Tiranë. Emri i tij është përmendur ndër vite në disa ngjarje kriminale, hetime policore dhe procedime për vepra të ndryshme penale.

Dushku u bë i njohur për publikun pas vrasjes së Abdulla Vrapit, në gusht të vitit 2011, në zonën e njohur si “Depot e Ujit”, pranë Sanatoriumit në Tiranë. Ai u arrestua në mars 2012, pasi u dyshua nga hetuesit për përfshirje në këtë ngjarje. Sipas raportimeve të kohës, konflikti dyshohej se kishte nisur për motive të lidhura me transportin urban.

Emri i tij u rikthye në vëmendje në vitet 2014 dhe 2015, kur në Saukun e Vjetër u regjistruan dy ngjarje, djegia e një automjeti dhe një shpërthim me lëndë plasëse në një lokal. Dushku u përmend në raportimet mediatike në lidhje me hetimet për këto episode.

Në shtator të vitit 2017, ai u arrestua sërish, në kuadër të një çështjeje që lidhej me shkatërrimin e pronës me zjarr, ndërsa ndaj tij ishte caktuar më herët masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Një tjetër arrestim u regjistrua më 1 mars 2018, gjatë operacionit policor të koduar “Përsëritësi”. Dushku u kap në rrugën e Elbasanit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij policia raportoi gjetjen e sendeve të paligjshme.

Në prill të vitit 2020, emri i tij u përfshi edhe në aksionin e Operacionit Forca e Ligjit. OFL-ja i sekuestroi tre automjete dhe i kërkoi të deklaronte burimin e pasurisë.

Dushku është përmendur gjithashtu në raportimet mediatike për një marrëdhënie biznesi me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, në lidhje me një pronë të blerë prej tij.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Vlorë/ E zuri korenti gjatë punës, humb jetën elektricisti 45-vjeçar në Kocul

Një elektricist 45-vjeçar ka humbur jetën pasi e ka zënë korrenti gjatë punës në nënstacionin elektrik të fshatit...

Prokuroria e Tiranës sekuestron 10 milion euro, çon në gjyq administratorin e ‘Euro Beton 2005’ sh.p.k., për pastrim parash

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq...

Shfrytëzim prostitucioni në Itali, arrestohet 71-vjeçari në Vaun e Dejës

Policia ka arrestuar në Vaun e Dejës Kol Ndojin, 71 vjeç, të cilin autoritetet italiane e kishin shpallur...

Siguria në shkolla/Goditet grupi që shpërndante drogë, arrestohen 4 persona

Një grup që shpërndante lëndë narkotike pranë institucioneve arsimore në Fier është goditur nga policia, pas disa muajsh...