Nga Vali Qyrfyçi
Mbrëmjen e 25 shtatorit, skena e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës u shndërrua në një agorë kulturore, ku poezia dhe diskutimi erdhën si “7 ditët e krijimit” të Met Dervishit, nën konceptin regjisorial të së bijës, Driadës. Ky event, i moderuar nga poetja Teuta Dhima, solli në qendër të vëmendjes veprën poetike “Vargjet e kontroversës” të publicistit Met Dervishi, e përkthyer dhe botuar në Francë.



Vepra e Dervishit përshkohet nga realitete që përplasen në kohë dhe hapësirë, mendime të thella dhe zhgënjime të përjetshme, të cilat ai i shpreh përmes një vargu filozofik, satirik dhe shpesh të zi. Kjo përzierje poetike përshkruan një shoqëri në lëvizje të shpejtë drejt të ardhmes, duke trajtuar realitete aktuale dhe të ardhshme me një ndjesi të thellë reflektimi.

Genciana Çako, drejtoreshë ekzekutive e Aleancës Franceze në Durrës dhe zyrtare e lartë e ZVA Durrës, ndau përvojën e saj me veprën duke theksuar rëndësinë e zgjedhjes së librave që ndihmojnë në afrimimin e të rinjve me leximin.
“Poezinë e Met Dervishit e lexova dhe e shijova së pari në frëngjisht. Përkthimi i realizuar nga Fatmir Lazo është një vepër më vete, që arrin të ruajë frymën e veprës origjinale.”

Fatmir Lazo, përkthyesi i veprës në frëngjisht, theksoi gjatë mbrëmjes kulturore, vështirësinë e përkthimit të vargjeve të Dervishit për shkak të thellësisë dhe kompleksitetit të tyre. Ai u shpreh se libri nuk i përket vetëm realitetit shqiptar, por ka një natyrë universale:
“Vepra nuk përfaqëson thjesht një Shqipëri tipike, por të gjitha vendet që kanë jetuar dhe janë çliruar nga diktaturat.”
Poeti Met Dervishi falënderoi të pranishmit dhe përkthyesin e veprës së tij, duke përmendur sfidat me të cilat përballen autorët në një mjedis me jo pak kufizime infrastrukturore në botimet letrare.
Ca të vërteta duhen thënë dhe rrethuar nga dashamirësit e librit autori Met Dervishi i tha, ndonëse këtë duhet ta bëjë kritika letrare që në Shqipërinë e pas ’90-s është shkërmoqur.
Sipas tij, ndonëse këto kufizime ekzistojnë dhe i janë bërë pengesë, poezia e tij e ka gjetur lexuesin e saj.

Ndër të tjerë folës dhe interpretues, Zv.rektorja e UAMD-së, Prof. Asoc. Dr. Suela Kastrati, u ndal në poemën “Mona Liza”, duke vlerësuar fuqinë dhe ndjeshmërinë e vargut të Dervishit, që solli referenca mitologjike dhe mesazhe të forta për lexuesin.
Libri, i botuar fillimisht në Francë para se të shihte dritën e botimit në Shqipëri, shihet jo vetëm si një pasqyrë e fenomeneve që po gërryejnë qytetërimin perëndimor, por, sipas përkthyesit të tij, mund të shërbejë dhe si një manual i mundshëm shkollor për të pajisur nxënësit me një horizont të gjerë kulturor, historik dhe filozofik. Përkthyesi Lazo beson se libri është i rëndësishëm për të gjitha vendet që ndajnë të kaluarën e një regjimi diktatorial dhe përfaqëson një kontribut të çmuar në literaturën bashkëkohore.
Nën tinguj shoqërues muzikor, interpretim poetik dhe diskutime, takimi u mbyll në një atmosferë të ngrohtë që nxorri në pah dhe fuqinë e gjuhës shqipe, një gjuhë me potenciale të jashtëzakonshme, sipas autorit, e cila ende ka shumë për të dhënë në botën letrare dhe kulturore. Një gjuhë e lashtë sa vetë bota që nuk e varfëron mendimin në të shkruar por e pasuron duke e përçuar atë tek lexuesi teksa kërkon të nxisë të menduarin e tij kritik dhe të zgjojë debate në rrethet kulturore dhe intelektuale.


