Me një karrierë gati 19 vite në Policinë e Shtetit, Ilir Proda që mbante postin e drejtorit të policisë Elbasan, do të drejtojë Policinë e Shtetit. Këshilli i Ministrave ka dalë me vendim për emërimin e Ilir Prodës si Drejtori i ri i Policisë së Shtetit.
Proda ka nisur rrugëtimin e tij në uniformat blu në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3. Më pas, për shumë vite ka shërbyer si specialist në komisariate dhe në drejtorinë e përgjithshme.
Në 2013 ai emërohet shef komisariati, detyrë të cilën e mbajti gati një vit dhe dy vite të tjera, deri në vitin 2016 shërbeu si shef i komisariatit të Bulqizës. Në korrik të vitit 2019 pasi merr gradën kryekomisar ai emërohet zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë. Në 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit. Në mars të vitit 2023, pasi mori gradën drejtues, ai u emërua drejtor i policisë Elbasan.
Proda ka diplomë juristi dhe master shkencor në të drejtën penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë.
Proda fitoi në këtë garë krah Altin Menës, Ardian Cipës, Neritan Nallbatit dhe Skëndert Hitës që u vlerësuan me më shumë pikë nga komisioni i posaçëm.
Pas këtij emërimi priten ndryshime në nivelet drejtuese të policisë së shtetit të cilat do të behen me garë të hapur.
Lajmi u dha dhe nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ditën e sotme, 2 tetor:
“Kandidati i cili sot u emërua në krye të policisë do të jetë në krye të policisë dhe pas emërimit të Prodës do të hapet gara për emërimin e 12 drejtorëve të qarqeve dhe drejtorëve të departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme.
Përzgjedhja do të bëhet me garë dhe kandidatët do të aplikojnë për postet përkatëse, proces që do të përfundojë brenda tetorit.”
©️zërionline


