Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë, një ëndërr e realizuar për besimtarët

Date:

Share post:

Këtë të enjte, më 10 tetor, u mbajt ceremonia e shumëpritur e inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë, një objekt kulti me rëndësi të madhe për komunitetin mysliman në Shqipëri. Ky moment shënoi përmbushjen e një ëndrre të vjetër të shqiptarëve, e realizuar falë bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Xhamia e Namazgjasë, e ndërtuar me mbështetjen bujare të popullit turk dhe përkushtimin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe ndihmën e Qeverisë Shqiptare, u inaugurua në prani të liderëve të dy vendeve. Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Edi Rama morën pjesë në ceremoninë e përurimit, ku u bashkuan me Myftiun e Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të drejtojë bordin e administrimit të xhamisë.

Ky projekt i përbashkët midis Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe autoriteteve turke, u bë i mundur edhe falë kontributit të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, e cila zgjidhi çështjet pronësore për truallin ku është ndërtuar xhamia.

Xhamia e Namazgjasë nuk do të shërbejë vetëm si vendfalje për besimtarët, por do të funksionojë edhe si një kompleks multifunksional, i hapur për qytetarët dhe turistët, duke ofruar shërbime dhe hapësira të ndryshme për komunitetin.

“Falënderojmë popullin dhe presidentin Erdoğan, si dhe kryeministrin Rama, për realizimin e kësaj ëndrre. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuan në ndërtimin e kësaj vepre madhështore,” u shprehën përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman.

Ceremonia e inaugurimit tërhoqi vëmendjen e besimtarëve dhe qytetarëve, duke përfshirë Xhaminë e Namazgjasë në hartën e monumenteve të rëndësishme kulturore dhe fetare jo vetëm të kryeqytetit, po të gjithë rajonit.

* * *

Xhamia e Namazgjasë nuk do të jetë nën juridiksionin e plotë të Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH), por do të drejtohet nga një Bord drejtues. Ky është një kompromis i arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, për të shmangur kontrollin e të ashtuquajturve “gylenistë” mbi këtë xhami të madhe, e cila është ndërtuar me fonde të qeverisë turke.

Presidenti Erdogan ka akuzuar disa herë KMSH-në për ndikim të anëtarëve të organizatës “FETO,” të cilën ai e konsideron përgjegjëse për tentativën e grushtit të shtetit në Turqi. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Rama të largojë individët që ai i konsideron të lidhur me këtë organizatë nga drejtimi i KMSH-së, megjithëse deri tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret nga pala shqiptare dhe pasi shteti është laik dhe nuk ka fuqi vendimmarrëse mbi komunitetet fetare dhe drejtuesve të tyre.

Xhamia e Namazgjasë pritej të inaugurohej disa vite më parë, por përplasjet brenda Komunitetit Mysliman Shqiptar detyruan edhe presidentin Erdogan të shtynte ceremoninë e inaugurimit të këtij investimi të madh nga qeveria turke.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Gara për Prokuror të Përgjithshëm/ Pesë kandidatë synojnë postin e kreut të akuzës shqiptare. Afati për aplikim deri në mesnatë

Pesë kandidatë, 3 gra dhe dy burra, kanë shprehur interesi për pozicionin e prokurorit të përgjithshëm, për të...

Peshk i ngrirë me kimikate mbi normat e lejuara, AKU: Kthejeni në pikat e shitjes

Një sasi peshku e ngrirë me origjinë nga Turqia, i eksportuar në Shqipëri përmes Greqisë, është identifikuar me...

Cilësia e ujit përkeqësohet në tri lagunat kryesore, Butrinti bie një kategori

Ujërat e Karavastasë, Nartës dhe Butrintit, tri lagunat kryesore të monitoruara gjatë vitit 2025, janë vlerësuar në përfundim...

Aksident zinxhir në autostradën Durrës-Tiranë, përplasen 7 automjete. Trafik i ngarkuar në të dy drejtimet

Një aksident zinxhir është regjistruar mesditën e kësaj të hëne në autostradën Durrës-Tiranë, pak para Sukthit, në drejtim...