Një 32-vjeçar nga Tirana është arrestuar nga autoritetet në portin e Durrësit pasi u kap me një sasi të madhe parash të fshehura dhe mallra të dyshuara të kontrabanduara. Shtetasi Alidin Kola tentoi të fuste në Shqipëri 31 120 paund pa i deklaruar, duke i fshehur në shtresën e shasisë së furgonit që drejtonte.
Kontrollet e imtësishme të kryera nga Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, zbuluan gjithashtu në furgonin e tij veshje, vegla pune dhe pajisje elektroshtëpiake, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara, pasi nuk ishin të shoqëruara me dokumentacion të rregullt.



Operacioni policor i koduar “Checked” u finalizua me sekuestrimin e automjetit, parave dhe mallrave, ndërsa materialet hetimore janë dërguar në Prokurorinë e Durrësit për akuzat “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
©️zërionline


