Pas arrestimit nga policia, i dyshuari për vrasjen e 82-vjeçarit Paulin Gila ka pranuar krimin, duke pretenduar se viktima i kishte një borxh prej 20 mijë lekësh (të rinj) që nuk pranoi tia kthente. Megjithatë, kjo dëshmi nuk ka bindur plotësisht hetuesit, të cilët po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivin e ngjarjes.
“Me kishte 200 mijë lekë borxh. E dëgjova dje që po dilte nga shtëpia se jemi fqinj dhe tek salloni, sheshpushimi i shkallëve i thashë: Hajde flasim për atë borxhin që më ke, se më duhen lekët për Vitin e Ri. U futëm në shtëpinë e tij.Bëmë sherr dhe më tha se nuk kishte lekë. Më ofendoi, më tha ” drogaxhi”. Aty u nxeha. U përleshëm me njëri-tjetrin. Ai donte të më godiste me çekiç, unë gjeta një thikë dhe e qëllova disa herë. Pastaj e qëllova edhe me çekiç derisa ngeli i shtrirë në tokë. Më pas mora thikat dhe çekiçin dhe i çova në shtëpinë time. Kur dola, mbylla edhe derën e tij me çelës. E lashë aty. Shkova në shtëpi, fsheha thikat dhe çekiçin, ndërrova rrobat me gjak dhe më pas ika për t’i shpëtuar policisë,” ka deklaruar 39-vjeçari gjatë marrjes në pyetje.
Grupi hetimor dyshon te kjo deklaratë dhe se konflikti ka nisur pasi i dyshuari i ka kërkuar para viktimës, por ky i fundit ka refuzuar, duke qenë se 39-vjeçari i kërkonte shpesh para për të pirë. Ofenduar nga refuzimi dhe nga fjala “drogaxhi”, autori ka humbur kontrollin dhe e ka sulmuar fillimisht me thikë e më pas me çekiç. Ngjarja ndodhi brenda banesës së viktimës, duke i marrë jetën 82-vjeçarit, ndërsa autori u largua nga vendi i krimit, duke mbyllur derën e apartamentit të viktimës me çelës.
Policia po heton më tej për të kuptuar nëse motivet e deklaruara nga i dyshuari përputhen me faktet e ngjarjes.
©️zërionline


