Kreshnik Farruku, një nga drejtuesit e klanit kriminal të njohur si “Farruku”, i kërkuar nga autoritetet spanjolle për trafik droge, është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit.
Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi konfiskimin e 27 pasurive të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut dhe vëllait të tij, Erneo Farrukut. Pasuritë e konfiskuara përfshijnë toka bujqësore, apartamente, dyqane, automjete luksoze dhe biznese, mes të cilave “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.
Pasuritë ndodhen kryesisht në Tiranë dhe Durrës, duke përfshirë apartamente në ndërtesa luksoze dhe prona në Gjirin e Lalzit. Autoritetet dyshojnë se këto pasuri janë përfituar përmes aktiviteteve kriminale, si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave.
Kreshnik Farruku dhe vëllai i tij, Erneo, drejtonin një nga grupet më të fuqishme të trafikut të drogës, i cili u godit në Spanjë gjatë një megaoperacioni në vitin 2023. Në këtë operacion u sekuestruan 2 ton kokainë, e cila dyshohej se ishte porositur nga klani Farruku në Ekuador për t’u trafikuar në Spanjë.
Kreshnik Farruku ka përdorur deri në 10 emra të ndryshëm për t’i shpëtuar drejtësisë dhe zotëronte pasuri me vlerë rreth 1 milion euro. Në vitin 2010, ai u arrestua në Barcelonë së bashku me 7 anëtarë të tjerë të grupit të tij, por u arratis nga burgu në vitin 2014. Pas arratisjes, ai u arrestua sërish në vitin 2019, teksa kërkohej nga autoritetet spanjolle dhe italiane për trafik droge dhe vjedhje banesash.
Në vitin 2015, Kreshnik Farruku ishte objektiv i një atentati në zonën e Don Boskos, në Tiranë. Sipas mediave spanjolle, ai ishte i dyshuar për vrasjen e një bosi të drogës në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të konflikteve mbi trafikun e kokainës. Megjithatë, më vonë u konfirmua se kjo vrasje ishte orkestruar nga Devi Kasmi, i cili u vra në një atentat në Tiranë, në janar të vitit 2018.
Kreshnik Farruku, i kthyer në një nga figurat më të njohura të botës së krimit, mbetet në qendër të vëmendjes për aktivitetet e tij të ndërlidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pasojat që ka lënë pas.
©️zërionline


