Në Gjykatën e Durrësit ka nisur shqyrtimi i krimit tronditës brenda familjes Meta në Shënavlash, pas shtyrjes së seancës së parë në dhjetor për mungesën e prokurorit dhe 3 fëmijëve, të pandehur për vrasjen e babait. Gjyqtarja Suela Xhani ka vendosur që seancat paraprake të zhvillohen pa praninë e medias.
Ngjarja daton më 10 shkurt të këtij viti, kur 49-vjeçari Pëllumb Meta u qëllua për vdekje. Trupi i tij u zbulua dy javë më vonë, pas një hetimi intensiv të policisë. Prokuroria ka dërguar për gjykim pesë persona, përfshirë tre fëmijët e viktimës, bashkëshorten dhe një të afërm të akuzuar për ndihmë në fshehjen e provave.

Në seancën e së martës ishte i pranishëm vetëm Amarildo Meta, djali i vogël i familjes. Në sallë ishte dhe motra dhe vëllai i viktimës. Ndërkohë, për shkak të mungesës së dy të pandehurve kryesorë, Hysen dhe Hygerta Meta, të arrestuar për këtë krim, gjykata e shtyu gjyqin, duke kërkuar praninë e tyre fizike për dhënien e deklaratave. Hygerta Meta ndodhet nê burgun e Pogradecit, ndërsa dy vëllezërit në burgun e Durrësit.
Akuzat
Hysen Meta, 25 vjeç, akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Fshehje e asgjesim të kufomës”, të kryer në bashkëpunim, si dhe për “Armëmbajtje pa leje”. Ai e ka pranuar krimin fillimisht, duke deklaruar se kishte qëlluar të atin katër herë pas një konflikti familjar, duke e cilësuar veprimin si reagim ndaj “diktatit të pamëshirshëm” të viktimës mbi familjen. Më pas, Hyseni u tërhoq nga rrëfimi, ndërsa përgjegjësinë për vrasjen e mori përsipër motra e tij, Hygerta Meta, studente në Universitetin e Tiranës.
Amarildo Meta dhe nëna e tyre, Blerina Meta, akuzohen për “Fshehje dhe asgjesim të kufomës” dhe “Pengim të zbulimit të së vërtetës”, përkatësisht. Në këtë proces është përfshirë edhe Sajmon Bajramaj, pronari i automjetit të përdorur për fshehjen e provave, i cili akuzohet për “Moskallëzim krimi”.
Pas krimit, trupi i Pëllumb Metës u zhvesh, u mbështoll me plastikë dhe u varros në një kasolle. Ndërkohë, makina e tij u zhvendos në zonën e Sektorit Rinia për të krijuar përshtypjen e zhdukjes së tij. Tri ditë pas ngjarjes, Hysen Meta raportoi zhdukjen e të atit në polici, por hetimet çuan në zbulimin e të vërtetës.
Ky krim makabër, që përfshiu të gjithë familjen në planifikimin dhe fshehjen e ngjarjes, tronditi opinionin publik. Konfliktet e vazhdueshme brenda familjes dyshohen të jenë motivi kryesor i këtij akti kriminal.
Procesi gjyqësor pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivet dhe rolet e secilit prej të akuzuarve, duke zbardhur plotësisht rrethanat e këtij krimi që ka shokuar komunitetin.
©️zërionline


