Lindur më 1864 dhe ndarë nga jeta më 1943, Camille Claudel mbetet një ndër figurat më tragjike dhe njëkohësisht më frymëzuese të artit francez. E braktisur nga të gjithë, ajo vdiq në vetmi në një spital psikiatrik, ku kaloi 30 vitet e fundit të jetës. Por çfarë bëri që kjo grua, e talentuar dhe plot pasion, të përfundonte kështu?
Në një epokë kur Shkolla e Arteve të Bukura në Paris ishte e hapur vetëm për burra, Camille sfidoi normat duke ndjekur mësime në studiot e artistëve që pranonin femra. Ishte aty ku ajo takoi skulptorin e madh Auguste Rodin, me të cilin krijoi një marrëdhënie pasionante, që shënoi kulmin e krijimtarisë së saj artistike. Ata punuan krah për krah, duke sjellë në jetë skulptura që sot ndodhen në muze të famshëm si Musée Rodin dhe Musée d’Orsay.
Por lidhja e tyre u ndërpre tragjikisht. Rodin, një artist i adhuruar nga shoqëria, zgjodhi të qëndronte pranë gruas së tij ligjore, duke e lënë Camille të braktisur dhe të margjinalizuar si në jetë, ashtu edhe në botën artistike. Puna e saj filloi të nënvlerësohej dhe shpirti i saj rebel u kthye në një turp për familjen e saj, e cila vendosi ta internojë.
E izoluar në spital psikiatrik, Camille jetoi në kushte të vështira, duke shkruar letra prekëse ku kërkonte ndihmë dhe duke u përpjekur të shpjegonte padrejtësinë që po përjetonte. Pavarësisht kthjelltësisë së mendjes, askush nuk e dëgjoi. Më 19 tetor 1943, ajo vdiq nga uria dhe u varros në një varr masiv, pa asnjë familjar pranë funeralit të saj.
Megjithatë, koha dhe historia i kanë dhënë hakun kësaj artisteje të jashtëzakonshme. Sot, veprat e Camille Claudel ekspozohen përkrah atyre të Rodinit dhe një muze i dedikuar asaj, vetëm pak kilometra larg Parisit, i bën nder trashëgimisë së saj artistike. Figura e saj është rehabilituar plotësisht, duke shërbyer si një simbol i guximit dhe pasionit që sfidoi barrierat e kohës.
©️zërionline


