Në 89-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës u mbush me art dhe emocion. Kjo ishte hera e parë që kjo datë përkujtohet pa shkrimtarin e madh, që u nda nga jeta në korrik të vitit të kaluar, por fjala dhe vepra e tij mbeten të gjalla dhe në vëmendjen e artistëve dhe të gjithë shqiptarëve.
“Kjo mbrëmje është një homazh për Kadarenë. Trupa e teatrit A. Moisiu ka përgatitur 16 poezi të Ismail Kadaresë… Është një mbrëmje mjaft e bukur dhe dinamike”, u shpreh drejtoresha e Qendrës Kulturore, Alketa Tragaj Myshketa.
Së bashku me buqetën e interpretimeve të poezive të tij nga aktorët profesionistë të Durrësit, portreti i Kadaresë, i realizuar nga Myshketa, ishte i pranishëm gjatë gjithë mbrëmjes, si një kujtesë e fuqishme e peshës dhe trashëgimisë letrare të Kadaresë.
Tetë aktorët e trupës së teatrit interpretuan poezi të Kadaresë, duke sjellë për publikun magjinë e vargjeve të tij.

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte interpretimi i poezisë “Mall”, ku fjala u ndërthur bukur me muzikën. Aktorja Suela Bako i dha zë dhe emocion vargjeve të poezisë së mirënjohur, ndërsa mexosopranoja Olta Juba e pasuroi performancën me interpretimin e saj muzikor, e shoqëruar në piano nga Orges Mema. Kjo ndërthurje krijoi një atmosferë të plotë emocionale, duke përfshirë të pranishmit në sallë.

“Ky është një event shumë modest karshi madhështisë së Kadaresë dhe na ngarkon më shumë me përgjegjësi…”, u shpreh aktorja Suela Bako.
Shkrimtari durrsak dhe ish-drejtues i teatrit Bashkim Hoxha në fjalën e tij, ndër të tjera, vlerësoi Kadarenë si një mjeshtër global të fjalës e mendimit që i rikrijoi vlerat e Durrësit në letërsi, edhe pse nuk e përmendi asnjëherë drejtpërdrejt qytetin në veprën e tij.
“Besoj kur ai përshkruan qytetet me kardinalë dhe tregtarë e me konsuj ai e ka fjalën për Durrësin tonë, të ngjashëm me të gjitha qytetet e botës perëndimore ku në biseda mbizotëronte filozofia e humanistëve…

Me Durrësin dhe teatrin 72-vjeçar të tij “A.Moisiu”, Kadarenë e lidhin edhe vënia në skenë e dy dramave dhe një dramatizim i veprës së tij.”
Jo vetëm aktorët, edhe poeti Rei Hodo përcolli emocion te publiku gjatë mbrëmjes artistiko-kulturore.

Mes duartrokitjeve të të pranishmëve në sallë, mbrëmja e 89-vjetorit të lindjes së Kadaresë konfirmoi se poetët jetojnë gjithëherë, përmes vargjeve dhe veprës së tyre, që mbeten të përjetshme. Kadareja është shkrimtari që do të vijojë të frymëzojë breza të tërë brenda dhe jashtë vendit, ndërsa do të kujtohet gjithnjë si autori që e solli përdorimin e gjuhës shqipe në një tjetër nivel, të paarritur më parë.
Vali Qyrfyçi
©️zërionline


