Rrebeshet e herëpashershme të shiut sot kanë shkaktuar përmbytje në qytetin e Durrësit, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve. Shumë akse rrugore dhe kryqëzime janë mbuluar nga uji, duke krijuar kaos në lëvizje. Situata është veçanërisht problematike për nxënësit e shkollave, të cilët janë përballur me vështirësi në kthimin në shtëpi, apo shkuarjen në shkollë për ata të pasdites, për shkak të ujit që ka vërshuar edhe në trotuare.

Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile, prefekti i qarkut Emiljan Jani, ka deklaruar se grupet e punës janë në terren dhe po punojnë për të mbajtur situatën nën kontroll, ndërsa reshjet vijojnë me intensitet. Problemet më të mëdha janë regjistruar në zonën e ish-Kënetës dhe në Plazh, ku kanali i ujërave të larta pranë Konvaleshencës ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje.
Mosfunksionimi i kanaleve kulluese për shkak të mbeturinave të hedhura në to ka përkeqësuar situatën, duke krijuar emergjencë në disa zona të qytetit dhe periferi. Aktualisht, dy eskavatorë janë duke punuar për pastrimin e kanaleve dhe largimin e mbetjeve për të lehtësuar shkarkimin e ujërave. Autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe po ndërhyjnë për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
©️zërionline


