Në kuadër të operacionit të koduar “Theft network”, Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses një operacion të gjerë, duke goditur një grup kriminal që kryente vjedhje të automjeteve, mjeteve lundruese, banesave dhe tabakino në qytetet e Durrësit dhe Tiranës.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan 4 shtetas dhe një tjetër shpallet në kërkim. Ata janë të dyshuar për kryerjen e disa vjedhjeve në këtë zonë. Operacioni ka rezultuar në zbardhjen dhe dokumentimin e 4 rasteve të vjedhjes, ndërsa po vazhdojnë hetimet për të identifikuar dhe dokumentuar vjedhje të tjera të mundshme të kryera nga ky grup.
Gjatë operacionit, u sekuestruan si prova materiale një mjet lundrues skaf, një kamionçinë dhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë ndodhur.
Në operacionin e realizuar nga Komisariati i Policisë Shijak, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u arrestuan:
- Donald Subashi, 26 vjeç, banues në Marikaj
- Denis Marku, 18 vjeç, banues në Shkodër
- Elvis Muça, 38 vjeç, banues në Mamurras
- Artur Lama, 48 vjeç, banues në Mamurras
Ndërsa E.Z., 49 vjeç, banues në Tiranë, është shpallur në kërkim, dhe puna për kapjen e tij vijon.
Vjedhjet e zbardhura deri tani:
- Vjedhja e një mjeti lundrues skaf, në Sukth, të shtetasit S.K.
- Vjedhja në tabakinon e shtetasit R.V., në fshatin Bilalas
- Vjedhja e dy automjeteve (furgon dhe kamionçinë), në Mullet, Tiranë më datë 13.02.2025
Në kuadër të operacionit, janë sekuestruar gjithashtu rrobat e përdorura nga personat e dyshuar në vjedhjen e tabakinos, si dhe katër aparate celularë të dyshuar për t’u përdorur gjatë realizimit të krimeve.
Hetimet vazhdojnë për të dokumentuar të tjera vjedhje të mundshme të kryera nga këta shtetas.
Materialet janë kaluar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për ndjekjen e mëtejshme të procedurave ligjore, ndërsa shtetasit akuzohen për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
©️zërionline


