Dhuna seksuale ndaj fëmijëve në lindje të Kongos arrin nivele alarmante 

Date:

Share post:

Dhuna seksuale ndaj fëmijëve në lindje të Republikës Demokratike të Kongos është rritur ndjeshëm në javët e fundit, raportoi javën e kaluar Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), teksa konfliktet mbi tokën dhe burimet minerale vazhdojnë të ushqejnë përplasjet në këtë rajon.  

Sipas UNICEF-it, qendrat shëndetësore në qytetin Goma dhe zonat përreth dokumentuan 170 raste të përdhunimeve ndaj fëmijëve brenda një jave, nga data 27 janar deri më 2 shkurt.  Prestigjozja The New York Times ka shkruar mbi këtë realitet në një shkrim të saj duke I dhënë zë një situate alarmante dhe një problemi të vazhdueshëm në zonat në konflikt kudo në botë.

Në total, gjatë kësaj periudhe u raportuan 572 raste të përdhunimeve, një rritje dramatike krahasuar me një mesatare prej 95 rastesh në javët paraardhëse, tha Lianne Gutcher, shefja e komunikimit e UNICEF-it për Kongon. Ajo shtoi se dhuna po kryhet nga “burra të armatosur” që i përkasin të gjitha palëve në konflikt.  

Organizata humanitare “Save the Children” raportoi një prirje të ngjashme të dhunës ndaj fëmijëve në të gjithë lindjen e Kongos. Megjithatë, “The New York Times” nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat e dhëna nga UNICEF-i.  

Grupi rebel i njohur si M23 pretendon se po mbron popullsinë Tutsi, një pakicë etnike e masakruar gjatë gjenocidit të vitit 1994, disa prej të cilëve jetojnë edhe në Kongo. Por ekspertët argumentojnë se grupi synon në fakt të kontrollojë mineralet e rralla të vendit.  

Përveç dhunës seksuale, punonjësit e shëndetësisë po përballen me mungesën e ilaçeve për të reduktuar rrezikun e infektimit me HIV pas sulmeve seksuale.  

Situata është përkeqësuar më tej nga pezullimi i ndihmës nga administrata e presidentit Donald Trump dhe shkurtimeve të mëdha në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), duke vënë në rrezik shëndetin e miliona njerëzve në mbarë botën, sipas artikullit të NYT.  

“Save the Children” ka dokumentuar gjithashtu 18 raste të vajzave të dhunuara seksualisht në provincën South Kivu dhe një rast tragjik ku një vajzë 16-vjeçare u vra teksa po përpiqej t’i rezistonte sulmit të burrave të armatosur.  

“Një nënë tregoi për stafin tonë se si gjashtë vajzat e saj, më e vogla vetëm 12 vjeç, u përdhunuan sistematikisht nga burra të armatosur ndërsa po kërkonin ushqim”, tha një përfaqësuese e organizatës.  

Ndërkohë, udhëheqësit e grupit rebel kanë deklaruar se synojnë të sjellin rregull dhe siguri në zonat që kontrollojnë, megjithëse situata në terren tregon një realitet krejtësisht ndryshe.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

24-vjeçari abuzon seksualisht me babain, ndalohet nga policia

Një ngjarje e rëndë e regjistruar në Kavajë rikthen në vëmendje jo vetëm dimensionin kriminal të rasteve të...

Prokuroria e Prishtinës kërkon burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Murseli mohon

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të...

SPAK jep pretencën për Evis Berberin

SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish kreun e ARRSH-së Evis Berberi për akuzat e shpërdorimit ë...

Një mësues humb jetën në rrugën e shkollës dhe harresës

Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin...