Një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedent për vrasje dhe në kërkim për gjobëvënie ndaj bizneseve, është kapur nga forcat speciale “RENEA”. I arrestuari, Jetmir Llanaj ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasje, vendim që u ul nga Apeli, dhe që e ka përfunduar pak kohë më parë. Pas vrasjes së djalit të tij 9-vjeçar në 2012-ën nga 2 vëllezër, Llanaj mori hak dhe u ekzekutoi babanë.
“Si rezultat i ndërhyrjes së specializuar policore të shërbimeve të Forcës Speciale “RENEA”, në mbështetje të shërbimeve operacionale të Policisë së Lezhës dhe të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, u mundësua lokalizimi në Mamurras, neutralizimi dhe vënia në pranga e shtetasit të shpallur në kërkim, Jetmir Llanaj 46 vjeç. Nga hetimet e kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Lezhë dhe Prokuroria e Lezhës, dyshohet se ky shtetas dhe 4 të tjerë (konkretisht 1 shtetas i arrestuar dhe 3 shtetas të proceduar penalisht, më datë 19.02.2025), të organizuar si grup, iu vendosnin gjoba bizneseve, duke ushtruar presion dhe kanosur me armë, me qëllim përfitimin pasuror të padrejtë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë veprimeve hetimore në lidhje me këtë veprimtari kriminale, këtyre shtetasve iu sekuestruan 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 automjete të blinduara, të cilat përdoreshin për të kryer veprimtarinë kriminale të shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie.
©️zërionline


