Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave shumëemërore nga subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ky moment shënon fillimin de facto të fushatës elektorale, e cila do të kulmojë me votimin e qytetarëve dy muaj më vonë.
Duke i dhënë rëndësi integritetit të këtij procesi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Qëndresa Qytetare (QQ) dhe Instituti i Studimeve Politike (ISP) kanë bërë një deklaratë publike, duke theksuar pesë çështje thelbësore që lidhen me mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe ruajtjen e standardeve demokratike.

Vota e diasporës
Për herë të parë, mbi 200 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës. Organizatat e shoqërisë civile e mirëpresin këtë zhvillim dhe i ftojnë të regjistruarit të votojnë lirisht dhe pa presion.
Në këtë kuadër, partitë politike, KQZ dhe institucionet ligjzbatuese u bëhet thirrje të sigurojnë që vota e diasporës të administrohet me të njëjtat standarde si brenda vendit, duke garantuar fshehtësinë e votës, transparencën financiare dhe mbikëqyrjen e procesit për të shmangur manipulimet dhe shpërdorimin e burimeve publike.
Integriteti i kandidatëve: Verifikimi i rekordeve dhe shmangia e emrave të përfshirë në çështje penale
Pavarësisht mekanizmave ligjorë që parashikojnë kontrolle mbi të kaluarën e kandidatëve, organizatat vërejnë me shqetësim se partitë politike nuk kanë shfrytëzuar plotësisht këtë instrument. Disa kandidatë të përfshirë në lista janë nën hetim apo ndodhen në masa sigurie, duke minuar besimin publik tek politika.
Shoqëria civile i kërkon partive të respektojnë angazhimet e tyre për të mos lejuar blerjen e votës dhe financimet e paligjshme, veçanërisht nga burime kriminale, siç përcakton neni 64/e i Kodit Zgjedhor.
Debati politik dhe integriteti i zgjedhjeve: Nevoja për një fushatë konstruktive
Organizatat shprehin shqetësim për klimën politike, duke apeluar për një fushatë zgjedhore të përqendruar tek programet dhe jo tek sulmet personale. Pas dhjetë proceseve zgjedhore parlamentare, Shqipëria ka nevojë për një qasje më të maturuar nga liderët politikë, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor.
Administrimi i procesit, Sfida për KQZ
Në këtë fushatë, KQZ ka ndërmarrë disa masa për të garantuar zgjedhje të rregullta, por organizatat paralajmërojnë se disa kategori qytetarësh, si personat me aftësi të kufizuara, mund të hasin vështirësi në ushtrimin e së drejtës së tyre për të votuar.
Gjithashtu, vëzhguesit raportojnë raste të keqpërdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale, përfshirë mbështetje financiare për pensionistët, ndryshime buxhetore dhe rritje të programeve sociale në disa bashki. Për këtë arsye, institucioneve publike u bëhet thirrje të shmangin çdo përfshirje në favorizimin e subjekteve politike dhe fushatës zgjedhore.
Parandalimi dhe ndëshkimi i krimit zgjedhor: Një sfidë e hapur për drejtësinë
Organizatat e shoqërisë civile janë të angazhuara në monitorimin e parregullsive dhe bashkëpunojnë me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK. Megjithatë, shifrat tregojnë se një pjesë e madhe e çështjeve të hapura për krime zgjedhore në zgjedhjet e kaluara janë pushuar ose ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar.
Në këtë kontekst, SPAK është inkurajuar për angazhimin për një proces zgjedhor më transparent, të drejtë dhe të ndershëm.
©️zërionline


