Lulzim Berisha, i ekstraduar të martën nga Spanja, doli këtë të enjte para GJKKO për t’u marrë në pyetje dhe verifikuar masa e arrestit me burg caktuar për të në mungesë, në kuadër të operacionit “Asgjë nuk harrohet”.
Seanca nisi paraditen e sotme, në orën 9:00, me dyer të mbyllura, ndërsa GJKKO vendosi lënien në fuqi të masës së arrestit me burg. SPAK e akuzon Lulzim Berishën për vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2005, ndërsa për vrasjen e Vajdin Lames, Prokuroria e Posaçme u tërhoq nga akuzat ndaj ish-kreut të bandës së Durrësit.
Lulzim Berisha foli vetë para gjykatës ku deklaroi se nuk e njeh dëshmitarin Luftar Reçi dhe sipas tij se ka takuar asnjëherë.
“Nuk e njoh fare atë njeri. Nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt me Luftar Reçin apo një telefonatë me të, më dënoni sa të doni. Njëlloj siç më ra akuza tjetër (ajo për vrasjen e Vajdin Lames), do të bjerë edhe kjo”, tha Lulzim Berisha para GJKKO.
Pas seancës, foli për mediat avokati i tij, Detar Hysi, i cili nuk iu përgjigj pyetjeve të bëra nga gazetarët, por përcolli mesazhet e tij, ndërsa tha se dëshmitari Luftar Reçi mashtron institucionet e drejtësisë.
Sipas tij, SPAK duhet të heqë dorë nga përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë që nuk janë të besuar, pasi po cenohet rëndë siguria kombëtare.
“I ashtuquajturi bashkëpunëtor i drejtësisë, Luftar Reçi, një mitoman permanent që nga dita kur është futur në sistemin e burgjeve, e deri më sot vazhdon të bëjë kërkesa dhe të krijojë artificiale, duke mashtruar institucionet shtetërore. Përfitoj nga rasti për t’i bërë thirrje ndërgjegjes profesionale të prokurorëve të SPAK, duke theksuar se përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë për interesa të caktuara apo për statistika në media cënon rëndë sigurinë kombëtare, sigurinë e jetës dhe sigurinë e pronës. Duhet të hiqet dorë nga ky standard ekstra-ligjor. Prokurori duhet të përkushtohet përgjegjësisë dhe pavarësisë në ushtrimin e detyrës”, tha avokati i Lulzim Berishës, Detar Hysi.

I konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Berisha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO në vitin 2020 kishte caktuar masën arrest me burg në mungesë. Ai u arrestua falë bashkëpunimit të FAST Albania dhe FAST Spanjës në operacionin e koduar “Sant Joan”.
Berisha akuzohet për vrasje me paramendin dhe në rrethana cilësuese, kundër 2 ose më shumë personave të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
©️zërionline


