Durrësi vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, të cilët vijnë për të zbuluar historinë, natyrën dhe arkitekturën e tij të veçantë. Mes tyre janë edhe shumë vizitorë nga Italia, Gjermania, Polonia dhe Britania e Madhe, të cilët ndajnë përshtypjet e tyre për qytetin bregdetar.

Një turiste italiane, e sapo mbërritur në Durrës me një grup familjarësh, shprehet e entuziazmuar për trashëgiminë historike:
“Qyteti na pëlqen shumë. Amfiteatri është spektakolar dhe uroj të zbulohet i gjithi sepse ia vlen. Edhe Torra Veneciane më pëlqen shumë. Kaq kam parë se tani arritëm.”

Një turist gjerman, i cili ndodhet me një grup shokësh, për herë të parë në Shqipëri, e përshkruan Durrësin si një vend të këndshëm, ku historia dhe arkitektura e vjetër urbane lënë mbresa të veçanta:
“Jemi nga Gjermania dhe vijmë për herë të parë në Shqipëri e Durrës. Jemi para sezonit dhe vend i këndshëm, veçanërisht objektet antike dhe arkitektura e vjetër urbane. Bukur të jesh këtu e ta shohësh.


Ndërkohë, një çift polak, që ka zgjedhur të kalojë fundjavën në Shqipëri, tregon për eksperiencën e tyre, duke veçuar natyrën e Kepit të Rodonit:
“Jemi nga Polonia dhe erdhëm për weekend. Vizituam Kepin e Rodonit dhe tani Durrësin. I magjepsur nga natyra e Kepit të Rodonit. Bukuri e egër. Pamjet dhe udhëtimi i djeshëm në Kep ishin fantastike. Natyra, deti, gjithçka.”

Ndërkohë, një turist britanik, me çantën e shpinës gati për eksplorim, është në ditën e tij të parë në qytet së bashku me partneren dhe pret të zbulojë më shumë:
“Jemi nga Britania e Madhe dhe sapo kemi mbërritur e duam të njihemi me qytetin e gjithçka tjetër. Është dita e parë këtu dhe duket bukur.”
Përshtypjet e turistëve tregojnë se Durrësi mbetet një pikë referimi për udhëtarët që kërkojnë të shijojnë historinë, kulturën dhe natyrën unike të bregdetit shqiptar.
©️zërionline


