SPAK urdhëroi ndalimin e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore Roven Zeka dhe dy oficerëve, të përfshirë në korrupsion pasiv.
Në një njoftim zyrtar, SPAK sqaroi skemën korruptive ku ai dhe efektivët janë përfshirë, duke çuar në ndalimin e tyre.

Më 16 prill, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, si pasojë, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.
Shuma e parave iu kërkuaa të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe ajo u sigurua nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë. Këtë shumë ai ia dorëzoi njërit prej punonjësve të policisë rrugore, fakt ky i provuar gjatë hetimit.
Urdhri i ndalimit të shtetasve: E.T, S.N dhe R.Z është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 18 prill, me urdhër të prokurorit të posaçëm, u ndaluan shtetasit: Roven Zeka shef i Komisariatit të Policisë Rrugore, S.N, shef i hetimit të aksidenteve rrugore në këtë komisariat dhe E.T, oficer i policisë gjyqësore, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
©️zërionline


