Festivali Art Explora u përmbyll me sukses pas një edicioni 12-ditor në Durrës, duke pritur më shumë se 35 mijë vizitorë.
Nga data 10 deri më 21 prill një program i pasur artistik dhe muzikor nga mbi 50 artistë ndërkombëtarë dhe vendas, u shpalos falas për të gjithë vizitorët.
Festivali u organizua në kuvertën e anijes së parë muze në botë dhe në kalatën e portit, i konceptuar në disa pavijone dhe hapësira kolektive, me një program që ndërthuri ekspozita, realitet virtual, performanca, biseda, projeksione filmash dhe koncerte.



Gjithashtu, Festivali Art Explora nxori në pah për audiencat ndërkombëtare, trashëgiminë historike të Durrësit duke e ndërlidhur atë me skenën globale të artit dhe kulturës bashkëkohore.
Me titull “Për qytetet dhe gratë: Një flaut, një kambanë, ujëra”, programi artistik u kurua nga kuratorja shqiptare Arnisa Zeqo, asistuar nga Rina Meta dhe në bashkëpunim me Anima Pictures, përgjegjëse për produksionin.
Frédéric Jousset, Themelues dhe President i Fondacionit Art Explora – organizata që qëndron pas festivalit – falënderoi përzemërsisht të gjithë partnerët, artistët, si dhe autoritetet lokale dhe institucionet kulturore për përkushtimin dhe entuziazmin e treguar në mbështetje të këtij festivali.

“Festivali Art Explora dhe anija-muze përfaqësojnë dëshirën tonë për të afruar kulturat me njëra-tjetrën dhe për të nxitur dialogun mes imagjinatave. Të ofrosh art për t’u përjetuar, në zemër të porteve dhe qyteteve të Mesdheut, do të thotë të ndërtosh ura mes popujve dhe të hapësh perspektiva të reja,” – tha Jousset.
Durrësi ishte ndalesa e parë e festivalit për këtë vit. Në këtë odise kulturore në Mesdhe, Art Explora do të lundrojë drejt Nisës në Francë (2-13 qershor), Rijekës në Kroaci (12-21 shtator), Athinës (3-12 tetor) dhe Limasol në Qipro (25 tetor – 5 nëntor).
©️zërionline


