Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Durrësi u bë skenë e një debati publik ku qytetarët patën mundësinë të përballen drejtpërdrejt me kandidatët për deputetë të qarkut. Forumi, i organizuar nga rrjeti “Përballja e Ofertave Politike – POP” në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, CSDC Durrës, solli në fokus transparencën, llogaridhënien dhe angazhimin qytetar në proceset vendimmarrëse.
Ky forum është kthyer tashmë në traditë duke sjellë para qytetarëve, alternativat politike dhe përgjigje të drejtpërdrejta mbi çështje të ndryshme që shqetësojnë komunitetin dhe zgjidhjet që mendohen nga partitë dhe kandidatët e tyre.
Pesë kandidatë nga parti dhe koalicione të ndryshme, konkretisht kandidatët Artan Kacani nga Lëvizja Bashkë, Nazmi Shuli nga koalicioni Euroatlantik, Redinela Beqiraj nga nisma Shqipëria Bëhet, Rezart Kthupi nga koalicioni Djathtas për Zhvillim dhe Jonida Çeçe nga partia Mundësia, prezantuan prioritetet e tyre për qarkun e Durrësit, duke u ndalur te punësimi, zhvillimi i turizmit dhe mbrojtja e mjedisit, fuqizimi i të rinjve dhe grave, si dhe lufta kundër korrupsionit.

Forumi, i transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale, u zhvillua përmes një formati të hapur dhe të barabartë. Secili kandidat paraqiti programin dhe më pas iu përgjigj pyetjeve nga qytetarët dhe organizatorët, në kohë të kufizuar. Pyetjet përfshinë tema të ndjeshme si zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, cilësia e arsimit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe përmirësimi i infrastrukturës.
Ajo që ra në sy ishte mungesa e Partisë Socialiste dhe e koalicionit “PD, Shqipëria Madhështore”, një fakt që organizatorët e konsideruan zhgënjyes, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjitha forcave politike në dialogun me qytetarët.
Pavarësisht kësaj, forumi i Durrësit konfirmoi edhe një herë vlerën e hapësirave publike për diskutim demokratik, duke i dhënë qytetarëve zërin që u takon në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Debatet u mbajtën në një atmosferë të qetë e konstruktive, ku u përplasën ide dhe vizione për një Durrës më të zhvilluar, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.
Përballja e kandidatëve vijon edhe në qarqe të tjera të vendit, si pjesë e përpjekjes së rrjetit POP për të ndërtuar një demokraci më të fortë përmes informimit dhe pjesëmarrjes dhe me mbështetjen e Olaf Palme International Center dhe Qeveria Suedeze.
Forumi u mbyll me ftesën:
“Zgjidh me mendje, jo me zakon – krahaso ofertat politike!
Zgjedhjet janë më 11 maj, ndaj voto me dije, jo me dyshim!”
L. B.
©️zërionline


