Kompania shqiptare Timak ka përfunduar automjetin e parë shqiptar të blinduar, i cili do të prezantohet në ekspozitën e mbrojtjes dhe sigurisë “Eurosatory 2024”, që do të zhvillohet më 17-21 qershor në Paris. I pagëzuar me emrin Shota, prototipi është dizenjuar nga dizenjatori shqiptar Grigor Andoni.
Administratorja e kompanisë, Arjeta Puca u shpreh se makina ka përfunduar brenda një kohe shumë të shkurtër, rreth 3 muaj. Me prezantimin e saj, kompania ka patur shumë interesim nga shtetet e huaja.
“Automjeti do të prezantohet në panairin e Parisit në datat 17-21 qershor. Që tani ka patur shumë interes sepse na kanë rezervuar shumë takime, jo vetëm për autoblindin, por edhe për produktet tona të tjera.”
Sipas administratores, një tjetër segment ku kompania ka kërkesë të madhe është dhe ai i dronëve.
“Sidomos për dronët ka një kërkesë shumë të lartë. Kompani nga Polonia, Çekia dhe Ukraina kanë shprehur interes të ndërtojnë fabrika këtu në Shqipëri për të prodhuar dronë ushtarakë,” deklaroi Puca.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


