Historia e rrallë e dashurisë që ndryshoi kursin e letërsisë amerikane

Date:

Share post:

Kur Mark Twain u martua me Olivia Langdon, i tha një miku: “Po ta dija sa e lumtur mund të ishte martesa, do të isha martuar 30 vjet më parë, në vend që të humbisja kohën duke rritur dhëmbët.” Ai ishte vetëm 32 vjeç, por kishte kaluar një jetë të tërë punësh të vështira: nga praktikant në një shtypshkronjë tek pilot anijesh në lumin Misisipi, minator i dështuar i argjendit dhe më në fund, shkrimtar që do të shndërrohej në legjendë.

Mark Twain, i lindur me emrin Samuel Clemens, u bë i famshëm për mendjen e mprehtë dhe talentin rrëfimtar. Ishte pikërisht në kulmin e karrierës së tij kur ndodhi ajo që s’e kishte parashikuar: u dashurua. Jo menjëherë me Olivian, por me portretin e saj. Një mik i tregoi një medalion ku ndodhej fotografia e saj dhe më pas e ftoi të njiheshin. Brenda dy javësh, Twain i propozoi. Por Olivia, e rritur në një rreth aristokratik dhe thellësisht të krishterë, hezitoi. Ai ishte dhjetë vjet më i madh, me sjellje të ashpra, pa pasuri dhe larg finesës së botës së saj. Megjithatë, ajo e admiroi talentin e tij.

Twain nuk u dorëzua. Propozoi sërish. Refuzimi i dytë erdhi për shkak të mungesës së devotshmërisë fetare. Ai, me humorin që e karakterizonte, u përgjigj: “Nëse kjo është ajo që duhet, do të bëhem një i krishterë i mirë.” Pavarësisht refuzimeve, Olivia tashmë kishte rënë në dashuri. Por Twain, i bindur se nuk kishte më shpresë, u largua.

Fati ndërhyri në mënyrën më të pazakontë. Teksa ishte rrugës për në stacionin e trenit, karroca e tij u përmbys. I lënduar lehtë, ai përfitoi nga situata dhe u kthye në shtëpinë e Olivia-s. Ajo u kujdes për të dhe ai bëri një përpjekje të fundit. I propozoi për herë të tretë. Këtë herë, ajo pranoi.

Twain u përpoq fort për t’i qëndruar pranë gruas së tij të devotshme. Lexonte Biblën çdo mbrëmje dhe thoshte lutjet përpara darkës. Disa nga veprat e tij, që e dinte se nuk do i pëlqenin Olivia-s, nuk i botoi kurrë. Mbi 15 mijë faqe të papublikuara. Olivia u bë redaktorja e tij e parë dhe kritiku më i rreptë. Kur lexoi shprehjen “Qafsha dreqin!” në romanin Huckleberry Finn, e detyroi ta heqë.

Bijtë e tyre do ta përshkruanin këtë bashkëjetesë me delikatesë: “Mamaja do moralin, babai do macet.” Twain e adhuronte Olivian. “Po të më thoshte që çorapet janë të pamoralshme, nuk do i vishja më”, kishte thënë ai. Ajo e quante “djaloshi me flokë gri” dhe kujdesej për të si për një fëmijë. Ai, nga ana tjetër, e falenderonte për gjallërinë, optimizmin dhe shpirtin rinor që ia ruante.

Humori i Twain e bënte Olivian të qeshte pafund. Një ditë, kur po qeshte me të madhe, ajo e pyeti çfarë po lexonte që e kishte argëtuar kaq shumë. Ai ia dha librin. Ishte një nga veprat e tij.

Por dashuria e tyre u përball edhe me dhimbje. Humbën fëmijë dhe Twain u përball me falimentim. Në kohët më të errëta, optimizmi i tij dhe besimi i saj ishin forcat që i mbanin në këmbë. Kurrë nuk u kthyen kundër njëri-tjetrit. Twain nuk ngriti zërin kurrë ndaj Olivias dhe ajo nuk e qortoi asnjëherë.

Ai ishte mbrojtësi i saj më i madh. Kur një mik ngacmoi Olivian me shaka, Twain ishte gati të ndërpriste miqësinë. Dhe kur në moshën 60-vjeçare nisi një turne botëror, Olivia i la pas të gjitha për ta shoqëruar, e vetëdijshme se ai kishte nevojë për kujdes të përhershëm.

Kjo nuk ishte vetëm një histori dashurie. Ishte një partneritet i rrallë, i ndërtuar mbi respekt, humor dhe përkushtim. Një jetë që vërtetoi se pas fjalëve, shpesh qëndron një dashuri edhe më e madhe.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

24-vjeçari abuzon seksualisht me babain, ndalohet nga policia

Një ngjarje e rëndë e regjistruar në Kavajë rikthen në vëmendje jo vetëm dimensionin kriminal të rasteve të...

Prokuroria e Prishtinës kërkon burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Murseli mohon

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të...

SPAK jep pretencën për Evis Berberin

SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish kreun e ARRSH-së Evis Berberi për akuzat e shpërdorimit ë...

Një mësues humb jetën në rrugën e shkollës dhe harresës

Ai nuk ishte ushtar, por ra në krye të detyrës. Nuk kishte armë, por një çantë me ditarin...