Kryqëzoni gishtat për Shqipërinë
Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga fillimi i Euro 2024 që nis me përballjen e Gjermanisë si vendi mikpritës me Skocinë, ethet e tifozerive kanë nisur. Faza e parë e Europianit është ajo e grupeve. Këto sfida do të luhen deri më 26 Qershor. Më pas do të ketë 3 ditë pushim për të nisur me fazën e eliminimit direkt më 29 Qershor. Në total janë 24 skuadra të ndara në 6 grupe. Dy vendet e para në klasifikim kualifikohen në 1/16 direkt.

Edhe 4 vendet e treta më të mira do të kualifikohen bazuar në numrin më të lartë të pikëve, diferencën e golave, golat e shënuar, fitoret, sjelljet “fair play” dhe pozicionin më të mirë në kualifikuese. Finalja do të mbahet më 14 Korrik në Olympiastadion në Berlin.
Euro 2024, të gjitha grupet
Grupi A: Gjermani, Skoci, Hungari, Zvicër
Grupi B: Spanjë, Kroaci, Itali, Shqipëri
Grupi C: Slloveni, Danimarkë, Serbi, Angli
Grupi D: Poloni, Holandë, Austri, Francë
Grupi E: Belgjikë, Sllovaki, Rumani dhe Ukrainë
Grupi F: Turqi, Gjeorgji, Portugali, Çeki
Stadiumet dhe si mund të lëvizni në Gjermani
Për të pritur turneun janë vendosur 10 qytete. 9 prej këtyre stadiumeve janë përdorur gjatë Kupës së Botës në vitin 2006. I vetmi stadium i ri është ai i Dyseldorfit ku Shqipëria do të luajë me Spanjën. Përveç Dyseldorfit, qytetet që do të presin ndeshjet janë edhe Berlini, Këlni, Dortmundi, Frankfurti, Gelzenkirshen, Hamburgu, Lajpcigu, Mynihu dhe Shtutgarti.
Trenat dhe transporti publik konsiderohen mënyra më e përshtatshme për të udhëtuar në Gjermani gjatë Kampionatit Europian. Çdokush që ka një biletë në stadium do të përfitojë ulje krahasuar me çmimet e zakonshme.
Maskota Albart dhe himni zyrtar
Maskota e turneut është një ari i vogël, Albart-i, emri i të cilit u zgjodh nga përdoruesit e faqes së UEFA dhe nga studentë në të gjithë Europën. Kënga zyrtare e Euro2024 titullohet “Fire”/ Zjarr e krijuar nga producentët italianë Meduza, grupi amerikan OneRepublic dhe këngëtarja gjermane, Leony.
Rregullorja e UEFA-s për turneun është 60 faqe. Kupa origjinale do t’i jepet fituesit vetëm për ceremoninë pas ndeshjes finales dhe më pas do të kthehet në UEFA, ndërsa fituesi do të marrë një kopje të kupës. Lojtarët mund të mbajnë numra nga 1 deri tek 26. Futbollistët duhet që të mbajnë kartën identifikuese me vete kudo që shkojnë.
@zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


