Labubu, lodra e shëmtuar që po çmend botën

Date:

Share post:

Nuk ka mbërritur ende në Shqipëri me të gjithë fuqinë e vet deri në marrëzi, po nëse hap rrjetet sociale së fundmi, gjasat janë të shohësh dikë duke bërë hapur kutinë e një “Labubu”-je ose duke e vendosur si element dekorativ në dhomë, sikur të ishte personazhi kryesor i jetës. Dhe megjithëse të gjithë flasin për të, pak e dinë se çfarë është në të vërtetë kjo lodër e çuditshme dhe nga ka ardhur.

Por Labubu nuk është thjesht një lodër interneti. Pas saj fshihet një histori e plotë artistike, e cila po i bën edhe skeptikët ta shohin me një sy tjetër. Ose më keq akoma: ta dëshirojnë vetë.

Historia pas lodrës së çuditshme

Labubu është krijuar nga artisti belgo-kinez Kasing Lung, një emër i njohur në botën e ilustrimit që nuk e ka ndjekur kurrë rrugën klasike të “bukurisë së zakonshme”. Ai nuk synoi të krijonte një lodër të këndshme. Përkundrazi, Labubu lindi si një karakter i shëmtuar, i frikshëm dhe i pazakontë, por me shumë personalitet.

Kjo figurë u shfaq për herë të parë në një botë përrallore të quajtur The Monsters, krijuar nga vetë Lung. Qëllimi? Të tregonte se nuk ke pse të jesh i bukur për t’u dashur. Sepse shpesh, ato që duken të shëmtuara në sipërfaqe, rezultojnë të jenë më të bukurat dhe më të dëshiruarat. Ashtu siç po ndodh tani me Labubu.

Si u kthye në mani?

Labubu u soll në jetë si lodër nga kompania kineze POP MART, e cila e futi në treg me konceptin e “blind box”, kutia e mbyllur ku nuk e di se çfarë versioni të lodrës po blen. Dhe ky mekanizëm e ktheu Labubu në një fenomen të pandalshëm.

Nga Labubu Pirat, te Labubu Engjëll, Skelet, Shtrigë, Peri dhe pafund versione të tjera, njerëzit filluan të garonin për t’i mbledhur të gjitha. Disa edicione janë aq të rralla sa çmimet në tregun e rishitjes kanë arritur në shifra të çmendura, deri në l 230 euro për një lodër që të futet në pëllëmbën e dorës.

Pse e duan kaq shumë?

Ironikisht, magjia e Labubu-së qëndron pikërisht te pamja e saj e pazakontë. Ajo nuk është e bukur. Në fakt, ngjan si diçka që do t’i shkaktonte makthe një fëmije. Por ky është edhe sekreti i saj: ajo ka karakter. Të shikon sikur fsheh një sekret që ti nuk e di. Ka qëndrimin e një lodre që thotë: “Jam e shëmtuar, kafshoj, por vlej më shumë se koleksioni yt i parfumeve.”

Disa e përdorin për dekor, të tjerë për video në TikTok apo Instagram, e ka nga ata që i kanë kthyer dhomat në muze privatë vetëm për Labubu. Dhe nuk ka shenja që kjo mani do të ndalet.

Më shumë se një lodër, një deklaratë

Labubu është kthyer në më shumë sesa një figurë plastike. Është trend, stil jete, shprehje individualiteti dhe revoltë ndaj standardeve të zakonshme të bukurisë. Për shumëkënd, ajo është një mënyrë për të thënë: “Unë nuk ndjek modën, unë jam moda.”

Prandaj, herën tjetër që e sheh diku këtë lodër të çuditshme me sy të mëdhenj dhe buzëqeshje djallëzore, mos e nënvlerëso. Labubu nuk është lodra klasike. Është e shëmtuar, e shtrenjtë dhe absolutisht e pandalshme.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, arrestohen në Greqi Lulzim Tabaku dhe Idriz Çelo

Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7...