Prokuroria e Posaçme ka vënë në sekuestro 21 pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro në qytetin e Durrësit që rezultojnë në pronësi të 3 personave të përfshirë në operacionin Ura për trafikun e lëndëve narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë. 10 prej pasurive të evidentuara se u krijuan nga aktiviteti kriminal rezultojnë në pronësi të Elvis Doçit si dhe familjarëve te tij. I njohur si Visi i Pojës, ai është shpallur në kërkim pasi i shpëtoi arrestimit, i njoftuar në kohë për operacionin.
Pasuritë e tjera janë në emër të Juxhin Draxhit dhe Ervin Zeqirit të dy të arrestuar gjatë operacionit “Ura”. Pasuritë e sekuestruara ndodhen në qytetin bregdetar të Durrësit dhe tashmë po administrohen nga Agjencia e administrimit të pronave të konfiskuara dhe sekuestruara mes të cilave 21 dyqane, bare, restorante, ndërtesa, bodrume, apartamente dhe sipërfaqe toke. Dyshohet se këto pasuri janë vënë nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës. Gjatë operacionit “Ura” mes Shqipërisë dhe Italisë u lëshuan 52 urdhër arreste, mes të cilëve edhe për Elvis Doçin që cilësohet si një nga organizatorët e trafikimit të lëndëve narkotike.
Fillimisht u vunë në sekuestro 2 kompani ndërtimi, 4 shoqëri tregtare, restorante, agjenci pasurish të paluajtshme, një TV kabllor në Vlorë, si dhe automjete luksoze e para cash.
©️zërionline


