Një nga vjedhjet më të shpeshta në Durrës, ajo e biçikletave, ka marrë vëmendjen e policisë vendore pas një sërë ankesash të përsëritura nga qytetarët. Me dhjetëra raste të denoncuara gjatë muajve të fundit, në pallate, trotuare, hyrje banesash apo përpara qendrave tregtare, qenë kthyer në shqetësim serioz për komunitetin urban të qytetit.
Reagimi nuk ka munguar. Policia e Durrësit ka ndërmarrë një operacion të koduar “Bicycle 3”, përmes të cilit identifikoi dhe vuri në pranga një 36-vjeçar, i cili dyshohet se është autor i të paktën tetë vjedhjeve të biçikletave në lagje të ndryshme të qytetit. Bëhet fjalë për shtetasin Safet Tata, banues në Durrës, i cili sipas burimeve hetimore, kishte krijuar një “model pune” që nuk linte pothuajse fare gjurmë.
Zakonisht, biçikletat nuk përfshihen në listën e objekteve “luksoze”, por për shumë qytetarë janë një mjet jetik për lëvizje, punë dhe ekonomi familjare. Për më tepër, gjatë sezonit turistik dhe në kushte trafiku të ngarkuar, ato janë një zgjedhje praktike që kursen kohë dhe para.
Megjithatë, mungesa e kamerave të sigurisë në shumë zona të qytetit, si dhe fakti që biçikletat shpesh lihen pa mbikëqyrje, e kanë bërë këtë formë vjedhjeje tërheqëse për grabitësit.
Qytetarët e dëmtuar nga ana tjetër kërkojnë më shpejt ndërhyrje për të parandaluar vjedhje të tilla, si dhe për të rikuperuar mjetet e vjedhura.
Ndërkohë, hetimet për këtë rast vazhdojnë, pasi dyshohet se i arrestuari mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera që nuk janë zbardhur ende. Prokuroria e Durrësit ka marrë në dorë procedurat për vijimin e hetimeve dhe përballjen e të dyshuarit me drejtësinë.
©️zërionline


