Një vit pa Ismail Kadarenë

Date:

Share post:

Sot mbushet një vit prej ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë, gjeniut të letrave shqipe, zërit më të fuqishëm të letërsisë sonë në botë dhe ndër intelektualët më përfaqësues të shekullit të kaluar. Ndonëse fizikisht ai nuk është më mes nesh, vepra e tij vazhdon të jetojë, e përkthyer, e lexuar, e studiuar dhe e debatueshme, si çdo art i madh që s’pranon të prehet në qetësinë e harresës.

Ismail Kadare nuk ishte thjesht një shkrimtar. Ishte dhe mbetet një institucion shpirtëror dhe kombëtar, një ndërgjegje e formuar në kohë të trazuara dhe një pasqyrë ku Shqipëria e sheh veten me gjithë kontradiktat e saj mitike dhe moderne, heroike dhe tragjike, e shpresës dhe e errësirës.

Kadare, shkrimtari që i dha jehonë gjuhës shqipe në botë

Kadare arriti atë që pak autorë shqiptarë e kanë bërë: ai e çoi gjuhën shqipe dhe universin e saj kulturor në botën frankofone, anglofone, gjermanofone e përtej, me përkthime brilante të veprave të tij, të cilat u lexuan si dritare nga një vend i vogël, por me një imagjinatë letrare të pakufizuar.

Romanet si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Pallati i Ëndrrave”, “Prilli i thyer, Kronikë në gur” e shumë të tjera, nuk janë vetëm histori shqiptare. Ato janë reflektime universale mbi pushtetin, frikën, kujtesën, njeriun dhe absurditetin e diktaturës.

Mes heshtjes dhe fjalës, Kadare si dëshmitar i kohës

I ndodhur mes dilemave morale të një kohe totalitare, Kadare mbeti përherë një figurë komplekse. Ai zgjodhi të jetojë dhe të shkruajë në Tiranën e regjimit komunist, ndërsa kritika e tij ndaj pushtetit u shpalos në mënyrë të rafinuar, përmes alegorisë, simbolikës dhe mitit.

Ka nga ata që e kanë parë me dyshim, e të tjerë që e kanë mbrojtur si të vetmin zë që, përmes artit, gjeti mënyrën për të folur kur gjithçka tjetër ishte mbyllur. Por në fund, koha do ta gjykojë jo sipas opinioneve a thashethemeve, por sipas asaj që mbetet, veprës.

Çfarë humbëm dhe çfarë kemi akoma?

Në një vit pa Kadarenë, më shumë se mungesa fizike ndjehet mungesa e një zëri të urtë e vizionar, që dinte të fliste për Shqipërinë pa zhurmë, por me peshë. Në një epokë zhurmash të kota, ku fjalët përdoren e shpërdorohen, mungesa e një figure si e tij na kujton sesa e rrallë është fjala që qëndron.

Por ajo që kemi ende është një trashëgimi e madhe letrare: një arkiv emocionesh, mendimesh, dramash dhe kuptimesh që do të mbetet burim frymëzimi për breza të tërë shkrimtarësh, studiuesish dhe lexuesish. Kadareja është tashmë pjesë e panteonit të letërsisë botërore dhe si çdo klasik i vërtetë, ai nuk lexohet një herë. Ai rilexohet.

Njëvjetori i ndarjes së Kadaresë është një rast për të kujtuar jo vetëm figurën e tij, por për të reflektuar mbi kujdesin institucional dhe shoqëror që duhet të tregojmë ndaj trashëgimisë së tij. A do të kemi një shtëpi muze të denjë? A do të përkthehen më tej veprat e tij në gjuhë të tjera? A do të mbahet gjallë interesi i brezit të ri për këtë monument të letërsisë?

Ismail Kadare nuk shkroi për të qënë i dashur, por për të qenë i vërtetë. Në këtë qëndron madhështia e tij dhe për këtë arsye kujtimi për të nuk do të zbehet me kohën. Vepra e tij është si vetë letërsia që ai përfaqësoi një urë mes shpirtit dhe kohës, një kujtesë që nuk vdes.

V. Qyrfyci

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, arrestohen në Greqi Lulzim Tabaku dhe Idriz Çelo

Dy persona të shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit 66-vjeçar Rexhep Ismaili, ngjarje e ndodhur më 7...

Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagoset 22-vjeçari; shpallet në kërkim autori

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në Tiranë, ku një i ri ka mbetur i plagosur...