Policia e Kavajës ka identifikuar dhe proceduar penalisht autorin e dyshuar të një zjarrvënieje në fshatin Helmës, që shkaktoi dëme të konsiderueshme në sipërfaqe bujqësore dhe pemëtore.
Pas njoftimit për rënien e një zjarri në një parcelë toke në këtë zonë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kryen veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.
Nga hetimet paraprake rezultoi se 60-vjeçari Y. T., banues në Helmës, kishte ndezur zjarr për djegien e disa degëve të pemëve të prera, por flakët kishin dalë jashtë kontrollit. Si pasojë, janë djegur rreth 10 hektarë tokë arë, në pronësi të tij, si dhe 30 pemë ulliri.

Policia ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku ndaj shtetasit Y. T. ka nisur procedimi penal për zjarrvënie të qëllimshme me pasoja në pronë. Hetimet për rastin vijojnë.
©️zërionline


