Porti i Durrësit ka përjetuar një fundjavë të ngarkuar, duke regjistruar hyrjen e 13,398 pasagjerëve gjatë tri ditëve të fundit, në kuadër të sezonit të verës që po sjell gjithnjë e më shumë vizitorë dhe emigrantë që kthehen për pushime në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga autoriteti portual, dita e premte ka shënuar 3,289 hyrje, ndërsa të shtunën ky numër është rritur ndjeshëm në 4,820 pasagjerë. Kulmi i fluksit është regjistruar të dielën, me 5,289 pasagjerë që kanë mbërritur në portin më të madh të vendit.
Tragetet kanë nisur që nga e enjtja lundrimet e dyfishta.
Këto shifra dëshmojnë për një rritje të ndjeshme të lëvizjes së qytetarëve drejt dhe nga Shqipëria, si pasojë e kthimit të emigrantëve, por edhe e shtimit të turistëve të huaj që zgjedhin rrugën detare për të hyrë në vend. Autoriteti Portual i Durrësit ka ndërmarrë masa për të përballuar fluksin, përmes rritjes së kapaciteteve operacionale dhe përforcimit të shërbimeve për pasagjerët.

Sezoni i verës mbetet periudha më e ngarkuar për portin e Durrësit, i cili shërben si një nyje e rëndësishme lidhjeje mes Shqipërisë dhe vendeve evropiane, përmes linjave të rregullta detare me portet italiane të Barit dhe Ankonës.
©️zërionline


