Një festë e beqarisë bëhet shkak që katër shoqe të fëmijërisë të takohen dhe të zbulojnë sa shumë kanë ndryshuar ndër vite, ndërsa ndajnë histori nga e kaluara e tyre. “Indian Party”, një komedi nga Francesco Apolloni, e përshtatur dhe me regji nga Madi Selimi, sjell situata komike dhe reflektim mbi shumë fenomene të së sotmes që e mbajnë të përfshirë vëmendjen e publikut gjatë të gjithë kohës përmes lojës aktoriale.
Një komedi dedikuar gruas dhe energjive të saj shpërthyese e të pashtershme, shfaqja vjen me interpretimin e aktoreve Jorida Meta, Ermela Ruri, Anila Balla, Delinda Disha dhe Deljana Topulli. Skenografia e thjeshtë dhe kostumografia plot ngjyra, ashtu si vetë jeta e një gruaje, realizuar nga Eldo Disha, i japin frymëmarrje kësaj performance që u shfaq vetëm një natë në Durrës.
Katër shoqe fëmijërie takohen në një suitë hoteli për të festuar fundin e beqarisë së Kiarës, shoqes së tyre që nuk del kurrë në skenë. Në pritje të saj, ato fillojnë të zbulojnë sekrete të mbartura prej vitesh, duke diskutuar për marrëdhëniet e dështuara me meshkujt, lidhjet, familjen, fëmijët dhe orientimet e tyre seksuale. Për më tepër, komedia trajton dhe marrëdhëniet e vështira me fëmijët, baballarët, abuzimin seksual në moshë të vogël, duke ofruar një vështrim të ndjeshëm dhe të sinqertë në këto dinamika komplekse.
Shfaqja, dedikuar për një publik mbi 16 vjeç, u mirëprit ngrohtësisht nga audienca që mbushte sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Gjuha e drejtpërdrejtë dhe pa dorashka, kur katër shoqet ndajnë përvojat e tyre jetësore dhe seksuale, madje dhe rrëfime që kryesisht mbahen sekret, e bën shfaqjen tërheqëse dhe autentike. Në të preken edhe çështjet e homoseksualitetit e biseksualitetit, duke sjellë një diskutim të hapur dhe të ndjeshëm mbi këtë temë.
Indian Party është një shfaqje që nxjerr në pah dinamika të thella njerëzore dhe të qeshura të sinqerta, “Indian Party” është një shfaqje femërore që nuk duhet humbur.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


