AKSIONI/ Masat e sigurisë në plazhe, mbrojtje dhe mirëqenie për pushuesit 

Date:

Share post:

Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Task Forca ndërinstitucionale kanë nisur kontrollet në plazhin e madh të Durrësit dhe Shkëmbit të Kavajës për të verifikuar masat e sigurisë, përfshirë dhe respektimin e hapësirave për plazhe publike, kullat e vrojtimit dhe elementë të tjerë të rëndësishëm për një sezon të mbarë dhe të sigurtë. Kontrolli ka për qëllim të sigurojë respektimin e të gjitha standardeve dhe rregulloreve, duke ofruar plazhe të sigurta për të gjithë frekuentuesit e tyre. Gjatë kontrollit u konstatua zënia e plazheve publike jo vetëm nga subjektet private, por dhe nga qytetarët. 

Oltsen Gripshi, Koordinator i Task Force shprehet: “Jemi këtu për t’i dhënë zë dhe figurë fuqisë së ligjit që askush nuk duhet të zërë plazhet publike dhe një thirrje për qytetarët të cilët duhet ta lejnë të lirë plazhin ashtu siç e gjetën. Nuk hasim vështirësi vetëm me privatin që zë plazhet, por dhe me qytetarët që vendosin çadrën dhe e kyçin aty duke menduar se e kanë të tyre. Pikërisht pse është plazh publik duhet të jetë në shërbim të të gjithëve.”

Task Forca konstatoi një zaptim të hapësirës për plazh publik para bar-restorant “Pineta” dhe në vazhdim, hapësirë kjo që kishte mbivendosje mes dy subjekteve, ndërkohë që rezultoi si i përfshirë në këtë zaptim të padrejtë dhe topografi që bën fotografimin dhe matjet para se të jepet leja për shfrytëzimin e rërës. Gjithashtu në këtë zonë të përcaktuar si plazh publik mungonte dhe tabela informuese. 

Një problematikë e mbartur dhe nga sezonet e kaluara që në jo pak raste ka sjellë dhe humbje të jetëve në det është mungesa e vrojtuesve të kualifikuar në plazhe. 

“Nga Ura e dajlanit deri te Përroi i Agait kemi 152 kulla vrojtimi. Përsa i përket shqetësimit për vrojtuesit e plazhit padyshim që nuk jemi në situatën më të mirë të mundshme, po ka sigurisht dhe mungesa por jemi gjithnjë në monitorim që ky shërbim të ofrohet 100 % në vijën bregdetare të Durrësit. Situata këtë sezon është më e mirë se në sezonet e kaluara”, deklaroi Gripshi.

Masat e sigurisë në plazhe janë thelbësore për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e pushuesve. Këto masa përfshijnë disa elemente kryesore, të cilat duhet të jenë të pranishme dhe të mirëmbajtura për të siguruar një ambient të sigurt. Disa prej tyre janë kullat e vrojtimit, që duhet të jenë të vendosura në pika strategjike përgjatë plazhit dhe të pajisura me pajisje dhe vrojtues të trajnuar për të monitoruar aktivitetin në det dhe në breg. Vrojtuesit duhet të jenë të pranishëm gjatë orëve kur plazhi është në përdorim, ndërsa kullat duhet të jenë të pajisura me mjete shpëtimi, si kamerdare, litarë shpëtimi dhe defibrilatorë automatikë për raste emergjente. Plazhet duhet të kenë tabela informuese për rreziqet potenciale, si dallgët e forta, rrymat, dhe thellësia e ujit. Një tjetër element i rëndësishëm është përcaktimi dhe sinjalizimi i qartë i zonave të sigurta për not dhe zonat ku është e ndaluar notimi për shkak të rreziqeve të mundshme, siç është hapësira detare e lejuar për lundrimin e mjeteve të argëtimit në det si motorrët e ujit, skafet, pedalonet etj. Në Durrës ka 6 vendbazime funksionale për mjetet e argëtimit ujor, ndërsa kanë marrë leje 11 subjekte për to. 

Zbatimi i masave të sigurisë dhe respektimi i hapësirave për plazhe publike siguron që turistë të huaj dhe vendas të shijojnë qetësisht ditët e tyre të pushimeve në bregdetin tonë.

©️zërionline

*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.

spot_img

Artikuj të lidhur

Flakët djegin magazinën me fishekzjarre e lodra plastike në Durrës, dy zjarrfikës përfundojnë në spital nga asfiksia

Para se flakët të viheshin nën kontroll, një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu pasditen e së enjtes...

Zjarr i madh në Belsh, temperaturat e larta favorizojnë flakët; rrezikohen banesat

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme disa zona të bashkisë së Belshit, duke krijuar një...

Pastronte paratë e kokainës, gjykata greke i hap rrugë ekstradimit të Ilir Shtufit në Shqipëri

Biznesmeni Ilir Shtufi do të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi Gjykata e Apelit të Selanikut vendosi në favor të...

Dhunoi 2-vjeçarin, arrestohet edukatorja në Tiranë

Një edukatore në një kopsht privat në Tiranë është arrestuar, pasi ka dhunuar një të mitur. Në praga...