Çdo klikim, shpërndarje, koment dhe postim që bëjmë online krijon një gjurmë digjitale që mund të jetë e pamundur të fshihet. Duke u rritur me teknologjinë digjitale, fëmijët sot përballen me rreziqe për privatësinë, identitetin, reputacionin dhe sigurinë e tyre si kurrë më parë. Si prindër, mund të mbështesim fëmijët tanë me njohuritë dhe mjetet që u nevojiten për të naviguar botën online në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme. Ja disa këshilla thelbësore nga ekspertët e UNICEF për të ndihmuar në mbrojtjen e privatësisë së fëmijës suaj online:
Sigurohuni që çdo pajisje që përdor fëmija juaj – përfshirë smartfonët, tabletët, kompjuterët dhe pajisjet inteligjente (si lodrat me lidhje në internet, altoparlantët dhe orët inteligjente) – të jenë të përditësuara dhe të kenë versionet më të fundit të softuerit. Kjo ndihmon në mbrojtjen kundër rreziqeve të sigurisë si qasja e paautorizuar, vjedhja e identitetit dhe shkeljet e të dhënave.
Kontrolloni cilësimet e privatësisë për çdo pajisje për të minimizuar të dhënat që mblidhen dhe ndahen (p.sh. vendndodhja dhe fotot), dhe për të kontrolluar qasjen në kamera dhe mikrofona. Mbani të mbuluara kamerat kur nuk janë në përdorim.
Kontrolloni cilësimet e aplikacioneve dhe shërbimeve. Sigurohuni që cilësimet e privatësisë në aplikacionet dhe shërbimet që përdor fëmija juaj të jenë të konfiguruara për të mbrojtur privatësinë e tij/saj. Kontrolloni se cilat të dhëna janë të ndara me palë të treta dhe kufizoni aksesin në informacionin personal.
Sigurohuni që fëmijët tuaj të përdorin cilësimet e privatësisë në platformat e mediave sociale dhe aplikacionet që përdorin për të kontrolluar se kush mund të shohë informacionin e tyre.
Përdorni fjalëkalime të forta dhe unike. Çdo llogari dhe pajisje duhet të ketë një fjalëkalim të fortë dhe unik.
Fjalëkalimet duhet të jenë të gjata dhe të përmbajnë një kombinim shkronjash, numrash dhe simbolesh.
Konsideroni dhe përdorimin e një menaxheri fjalëkalimesh për të ndihmuar në gjenerimin dhe ruajtjen e tyre.
Kur është e mundur, aktivizoni verifikimin me dy faktorë për një shtresë të shtuar sigurie. Kjo do të thotë se përveç fjalëkalimit, do të kërkohet një kod i dytë për t’u loguar në llogari.
Monitoroni dhe përditësoni rregullisht cilësimet e privatësisë në pajisje dhe aplikacione, sidomos pas përditësimeve të softuerit ose kur instaloni aplikacione të reja.
Bisedoni rregullisht me fëmijët për faqet që vizitojnë dhe aplikacionet që përdorin.
Përdorni softuer monitorues kur është e nevojshme.
Ndihmoni fëmijët të kuptojnë që çdo veprim online mund të ketë pasoja afatgjata për reputacionin e tyre.
Diskutoni dhe edukojini ata për rëndësinë e ruajtjes së privatësisë së tyre online dhe për rreziqet e ndarjes së tepërt të informacionit personal. Këshillojini ata të jenë të kujdesshëm dhe të mendojnë për pasojat para se të ndajnë diçka online. U thoni që të mos ndajnë informacion personal si adresa, numra telefoni apo të dhëna të tjera personale online.
Ndihmoni fëmijët të kuptojnë që çdo veprim online mund të ketë pasoja afatgjata për reputacionin e tyre.
Si prind duhet të inkurajoni sjelljen e mirë online. Mësimi i empatisë dhe respektit në ndërveprimet e tyre online është thelbësor.
UNICEF sugjeron që t’i informoni dhe për rreziqet e cyberbullying-ut. Bëhuni të hapur për të diskutuar për bullizimun online dhe jepuni mbështetje në rast se ndodh.
Ju mund të ndihmoni në mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë online të fëmijëve tuaj përmes kontrollit të pajisjeve dhe treguesve të përdorur në to, ndërsa duke biseduar me ta mund të ndihmoni që fëmijët tuaj të jenë më të sigurt dhe më të përgjegjshëm në botën dixhitale.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


