Gara e fortë për postin e rektorit në universitetin publik të Durrësit ka shtuar pjesëmarrjen në procesin zgjedhor që po zhvillohet këtë të premte në ambjentet universitare. Pesë qendra votimi, një për çdo fakultet, janë hapur që në mëngjes në pritje të 310 anëtarëve të stafit akademik dhe 12 144 studentëve me të drejtë vote. Në të gjitha qendrat e votimit, dy prej të cilave, pranë godinës ku ndodhet dhe rektorati, në Currila dhe tri të tjerat tek kampusi universitar në Spitallë kanë pasur një pjesëmarrjë të lartë votuesish, veçanërisht të studentëve. Ndryshe nga proceset e kaluara zgjedhore kur interesi i tyre ka qenë i pakët, rradhë të gjata studentësh janë vënë re pranë qendrave në pritje për të dhënë votën e tyre për zgjedhjen e rektorit, dekanit të secilit prej 5 fakulteteve dhe shefave të departamenteve.
Në garën për rektor janë përfshirë katër kandidatë Prof. Dr. Andon Kume, Prof. Dr. Lindita Mukli, Prof. Dr. Osman Metalla dhe Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi. Drejtimi i rektoratit pritet të diskutohet në numër votash mes kandidatëve Metalla dhe Fortuzi, por nuk përjashtohet as ndonjë surprizë.
Sipas drejtueses së Komisionit Institucional Zgjedhor të ngritur pranë UAMD-së, Ada Gashi, rezultatet e votimit për postin e rektorit pritet të shpallen brenda ditës së sotme.
Në të 5 qendrat e votimit në UAMD pritet të votohet deri në orën 16.00. Vetëm nëse do të ketë votues që presin në radhë, procesi do të përmbyllet në momentin kur edhe votuesi i fundit e hedh votën në kutinë e votimit.
Paralelisht në të gjithë vendin po zhvillohen votimet në 14 institucione të arsimit të lartë publik.
Universiteti i Durrësit është universiteti më i ri në vend, por me një numër të lartë studentësh dhe programesh studimore. Studentët shprehen se presin shumë nga ky proces zgjedhor mbi të gjitha përmirësimin e cilësisë arsimore, të infrastrukturës dhe zgjidhjen e një sërë problemesh që i shqetësojnë prej vitesh pa marrë zgjidhje, siç është transporti publik, karta e studentit, ndërtimi i konvikteve qasja më e drejtpërdrejtë e pedagogëve ndaj studentëve etj.
@zërionline


