Sot, më 21 qershor, universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit (UAMD), ashtu si të gjithë institucionet e arsimit të lartë në vend do të zhvillojë zgjedhjet për rektor dhe organet e tjera drejtuese të tij. Katër kandidatë, të gjithë ish-dekanë, janë në garë për këtë post. Gara është e fortë, por edhe problematikat nuk mungojnë. Kandidatët deklarojnë se kanë platforma të mirëpërcaktuara për përballjen me sfidat dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Për të trajtuar një sërë problematikash që e mundojnë prej vitesh këtë institucion të arsimit të lartë, iu drejtuam me pyetje katër kandidatëve në garë.

Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, deri më sot dekan i Fakultetit të Biznesit, ka hyrë në garën për rektor i bindur në arritjet e deritanishme të universitetit më të ri në vend dhe me një plan për zhvillimin e këtij institucioni për 4 vitet në vazhdim. Për më tepër lexoni intervistën me të.
Degët e rrezikuara nga mungesa e interesit të të rinjve:
– Cilat janë degët më të rrezikuara në UAMD për shkak të mungesës së interesit nga të rinjtë?
Në vlerësimin tim, mbështetur edhe në të dhënat dhe rezultatet e proceseve dhe procedurave periodike, në Universitetin tonë nuk egziston rrisk i shtuar për Programet tona të Studimit, krahasuar me të ngjashmit e tyre kombëtar e europian. Trendet e pëlqyeshmërisë dhe preferencave janë të ngjashëm në nivel kombëtar. Njëherazi, vlen të theksohet, që UAMD është ndër më pak të prekurit ndër Institucionet e Arsimit të Lartë Shqiptar (IALSh), në lidhje me tendencën e numrit në rënie të studentëve të rinj.
Programet e Studimit janë produkt i Njësive Bazë (Departamenteve) dhe është kompetencë e tyre inicimi i vendimmarjes për përditësimin, ndryshimin apo edhe mbylljen e Programeve të tyre. Legjislaslacioni ka mundësuar krijimin e sistemeve funksionale, duke krijuar hapësirat e nevojshme për ushtrimin e lirisë së plotë akademike edhe në këtë fushë.
– Cilat janë politikat dhe strategjitë që parashikoni për të mbajtur gjallë këto degë? Si mendoni të përmirësoni tërheqjen ndaj degëve të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve, siç janë fushat e detarisë dhe turizmit?
Do të ketë një mbështetje të plotë dhe të gjithanshme institucionale ndaj Njësive Bazë, në inkurajimin dhe rritjen e përkushtimit të tyre për një përputhje më të mirë të ofërtës akademike me kërkesat e tregut për dije, aftësi dhe zotësi. Këtë do ta realizojmë përmes jetësimit të rrjeteve funksionale dhe helikës së gjashtëfishtë (akademia, institucionet e arsimit parauniversitar, punëdhënësit, qeverisjet, studentët dhe shoqëria civile).
Rrjeti rajonal i Dijes, bazuar në praktikën e konsoliduar të Rajoneve evropiane, në hartimin e dokumentëve strategjik rajonal (RIS3) dhe mbështetur në dokumentin kombëtar të Strategjisë së Qëndrueshme të Zgjuar (S3), do të mundësojë krijimin e një dokumenti strategjik rajonal, i cili do të shërbejë si një udhërrëfyes zhvillimor, me kontribut tejet të vyer për Rajonin e Durrësit. Kjo nismë do të jetë risi për Shqipërinë dhe jam besimplotë që do të gjenerojë efekte “spillover” tejet të rëndësishëm.
Rritja e cilësisë së arsimit universitar:
– Cilat janë strategjitë tuaja për të rritur cilësinë e arsimit në UAMD?
Koncepti i cilësisë, në Arsimin e Lartë, është trajtuar, derimëtani, me lakonizëm. I ngushtuar në vetëm një kontinium dhe duke mos pasur në vëmendje aktorët e tjerë të Rrjetit të Dijes. Kësisoj është parë si cilësi e binomit “mësimdhënie – nxënie”; thënë ndryshe domein biaktorial “mësues – nxënës”. Arsimi i Lartë po shkon globalisht në rikonceptim të plotë për të krijuar një marrëdhënie sinergjike, gjithëpërfshirëse dhe të përshtatur. Dija akademike është produkt i Rrjetit të Dijes, ku të gjithë aktorët vozisin drejt një vizioni të përbashkët. Cilësia e saj është një aset rajonal, një e mirë kombëtare dhe më gjerë. Kjo është fryma dhe misioni i UAMD dhe ne do bëjmë hapa përpara për të qenë konkurrues në rajon e më gjerë, pasi unë jam besimplotë që kemi asetet e duhura dhe misionin e duhur. Platforma ime 2024-2028 i shërben këtij qëllimi.
– Si do të siguroni që stafi akademik të jetë i kualifikuar dhe i përkushtuar për të ofruar arsim cilësor?
Të qenit pjesë e Rrjetit të Dijes kupton angazhimin e stafit në ofrimin e dijes së aplikuar – teori e ilustruar me shembuj dhe raste studimorë nga institucionet rajonale dhe kombëtare. Ndërveprimi i ngushtë brenda Rrjetit dhe Aleancës STARS EU, sikurse edhe pjesëmarrja e aktorëve të Rrjetit, në projekte rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare, do të sigurojë rrugën e sigurt drejt përkushtimit ndaj një përqasjeje “ëin-ëin”, me fitore të përbashkëta; drejt një arsimi cilësor.
– A keni plane për të përmirësuar infrastrukturën dhe burimet akademike?
Padyshim! Sikurse edhe mund të jeni njohur, në Planin e Zhvillimit të UAMD 2024-2028 që kam hartuar në bashkëpunim me stafin akademik, studentët, institucionet vendore dhe qendrore, zë një vend të vecantë konceptualizimi i Kampusit Universitar, në të gjithë elementët e detajet e tij. Kryesore këtu është të theksohet përqasja jonë e re, për një Plan të mirëmenduar Zhvillimor, ku secili prej komponentëve është i mirëmenduar dhe e ka vendin e tij të paracaktuar, në një lidhje harmonike me të tërën. Kjo mënyrë e të projektuarit fton të gjithë aktorët potencial, në përfshirje të vetëdijshme në Kampusin tonë Universitar në përfitim të UAMD dhe qytetit të Durrësit, vendit dhe më gjerë.
Shpenzimet e universitetit:
– Si do të adresoni shpenzimet që shpesh janë vlerësuar si të tepruara në universitet?
Plani im i Zhvillimit të UAMD 2024-2028 paracakton fushat prioritare për buxhetim dhe adreson mundësitë e gjenerimit të të ardhurave dhe kanalizimin e duhur të shpenzimeve me transparencën, korrektësinë dhe efikasitetin e plotë.
– A parashikoni ndryshime në menaxhimin e buxhetit të universitetit për të përmirësuar efikasitetin financiar?
Unë jam tejet i bindur, sic e kam diskutuar edhe me të gjithë stafin akademik dhe në takimet me studentët, që përmes Planit të Zhvillimit të UAMD 2024-2028 që kam parashtruar, ne do të dijmë ta rrisim rentabilitetin e aseteve tona dhe do të krijojmë vlerë të shtuar në ofertën tonë akademike, për Rrjetin e Dijes dhe më gjerë.
Kërkimi shkencor dhe lufta ndaj plagjaturës në epokën e IA-së:
– Cilat janë politikat tuaja për të përmirësuar kërkimin shkencor në UAMD?
Vizioni ynë shpërfaq një profesorat të angazhuar në kërkim shkencor të aplikuar, i cili adreson nevoja konkrete, që synojnë zgjidhjen e problematikave rajonale dhe kombëtare. Jemi të vetëdijshëm rreth potencialeve tona kërkimore dhe do t’i maksimizojmë ato përmes financimeve dhe bashkëfinancimeve të Rrjetit të Dijes, projekteve kombëtarë dhe ndërkombëtare.
– Si do të luftoni plagjaturën, veçanërisht në epokën e inteligjencës artificiale? Apo mendoni integrimin e saj?
Kërkimi shkencor i aplikuar kupton një marrëdhënie të ngushtë dhe të sinqertë me shkencën dhe jo vetëm. Produkti i tij janë rezultate të përftuara nga hulumtime dhe analiza konkrete, me të dhëna reale. Në ndihmë të kërkuesve tanë do të vihen në dispozicion teknologjitë bashkëkohore dhe do të përdoren programet e mirënjohur të kontrollit paraprak të plagiumit. Inteligjenca Artificiale (IA) është një rrjedhë e Epokës sonë 4.0 dhe ne duhet të vozisim në të, përmes njohjes, përvetësimit dhe shfrytëzimit të saj. UAMD do të jetë IALSh i Edukimit 4.0 dhe do të synojë të jetë në pararojë.
– Çfarë masash do të ndërmerrni për të inkurajuar kërkimin origjinal dhe inovacionin?
Vetëm përqasja e re, ndaj një Kërkimi Shkëncor të Aplikuar, në përgjigje të sfidave me të cilat përballet Rrjeti i Dijes dhe I mbështetur e i financuar nga aktorët e saj, do të sigurojë kërkim shkencor origjinal, i cili do të rezultojë në përthithjen me sukseses të risive të tij.
Vlerësimi i diplomës në treg dhe fuqizimi i degëve të mësuesisë:
– Si do të siguroheni që diplomat e lëshuara nga UAMD të jenë të vlerësuara në tregun e punës?
Cilësinë e Dijes së përftuar, të artikuluar dhe të transferuar mund ta certifikojë në kohë reale, ende pa u “diplomuar”, Rrjeti i Dijes, përmes formulave të njohura dhe atyre novative, që ne synojmë të krijojmë së bashku me aktorët e tjerë të tij. Oferta jonë është Dije e bashkëkrijuar. Kjo është garancia për një Dije të qëndrueshme dhe tejkalimin e cdo hendeku mes ofertës dhe kërkesës, që zakonisht gërryen marrëdhëniet e besimit dhe vlerësimit reciprok “akademi-punëdhënës”.
– Cilat janë planet tuaja për të fuqizuar degët e mësuesisë me studentë cilësorë?
Përmes Rrjetit të Dijes, do të krijojmë ndërlidhje të forta dhe rrjetëzime funksionale mes aktorëve. Kjo do të mundësojë rritjen e vlerës së shtuar për secilin prej tyre. Ata do të jenë helikat që do të sigurojnë një udhëtim më të shpejtë dhe të sigurt drejt së ardhmes së bashku. Kështu do të rritet besimi dhe vlerësimi për rëndësinë e edukimit dhe formimit, duke krijuar shtratin e nevojshëm për orientimin e të rinjve kërkues, drej fushës së edukimit parauniversitar – mësuesisë cilësore të së nesërmes.
– Si do të përmirësoni afrimin e studentëve me tregun e punës dhe të siguroheni që ata të jenë të përgatitur për kërkesat e tij?
Sic e përmenda më lart, të qenit pjesë integrale, aktorë të rëndësishëm të Rrjetit të Dijes, helika të fuqishme zhvillimore, që ndërveprojnë së bashku përgjatë viteve të studimit, përmes formulave të njohura dhe atyre novative, do të ofroj zgjidhje për këtë problematikë, duke bërë që në të ardhmen mos të egzistojë si e tillë. Kjo është Udhëheqja e Mencur, që ne të gjithë synojmë përmes Rrjetit të Dijes: Te zgjidhë problem të atilla që, në të nesërmen, as mos të shfaqen, apo mendohen se egzistonin! Kjo do të jetë filozofia jonë e të krijuarit të së nesërmes së përbashkët.
Konviktet e munguara:
– Çfarë parashikoni për të zgjidhur problemin e mungesës së konvikteve në UAMD?
Plani i Zhvillimit të UAMD 2024-2028 dhe Kampusi Universitar që kam parashtruar me premtimin për t’u konkretizuar ne cdo pikë, i parashikon dhe i adreson për zgjidhje, si një pjesë integrale e Jetës studentore. Ato nuk do jenë, thjesht, fjetore, por Njësi Jete Studentore.
Për rastet e strehimit emergjent për studentët dhe pedagogët është dakordësuar tashmë me Bashkinë Durrës për vënien në dispozicion të 100 apartamenteve, nga fondi i banesave të ndërtuara pranë Kampusit të UAMD, të alokuara për të dëmtuarit nga tërmeti.
– A ka plane konkrete për ndërtimin e konvikteve?
Padyshim, Planet janë konkrete dhe të realizueshëm. Janë të shtjelluara në Platformën time të cilën e kam komunikuar me të gjithë stafin akademik dhe studentët, i kam bërë publike dhe shpalosur në media. Ato i gjeni të detajuara në komunikimet e mia dhe në Planin e Zhvillimit të UAMD 2024-2028. Gjithashtu kam bërë publike edhe projektin për Kampusin e ri të UAMD që do e bëjë Universitetin tonë konkurrues në rajon, do u ofrojë studentëve, pedagogëve dhe banorëve të Durrësit një institucion me standarde evropiane. E theksoj edhe në këtë intervistë që cdo pikë e platformës sime, e cila është E JONA, pasi është hartuar bashkarisht me stafin dhe studentët, nuk është thjesht premtim por do përmbushet plotësisht, pikë për pikë. UNË E MBAJ FJALËN.
– Cilat janë kërkesat dhe shqetësimet kryesore të studentëve gjatë takimeve me ta që duhet të adresoni në ardhjen në detyrë?
Kërkesat dhe shqetësimet e tyre, të artikuluara edhe me zgjidhjet përkatëse i gjeni në Planin e Zhvillimit të UAMD 2024-2028. Ky Plan është bashkëhartuar edhe me studentët. Ky është një Dokument Pune dhe jo një Program Elektoral, për këto zgjedhje.
– Si do të siguroheni që zëri i studentëve të dëgjohet dhe të merret parasysh në proceset vendimmarrëse të universitetit?
Hapësirat e reja, përtej legjislacionit, që do të krijohen në Universitetin tonë të së Ardhmes, do të jenë të panumërta dhe organike. Asnjë sforcim apo formalitet nuk është pjesë e Vizionit tonë, për UAMD si aktori kryesor i Rrjetit të Dijes, me një fuqi të admirueshme vozitëse drejt së Ardhmes, ku garancitë kryesore janë sinergjitë që do të krijojnë aktorët e Rrjetit dhe forca e helikat të tyre zhvillimore, drejt një Vizioni të përbashkët, Së Bashku!
@zërionline


