Zgjedhjet në UAMD/ Prof. Dr. Andon Kume: Kujdes i shtuar për pedagogët dhe studentët

Date:

Share post:

Sot, më 21 qershor, universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit (UAMD), ashtu si të gjithë institucionet e arsimit të lartë në vend do të zhvillojë zgjedhjet për rektor dhe organet e tjera drejtuese të tij. Katër kandidatë, të gjithë dekanë në katër prej fakulteteve të këtij universiteti, janë në garë për këtë post. Gara është e fortë, por edhe problematikat nuk mungojnë. Kandidatët deklarojnë se kanë platforma të mirëpërcaktuara për përballjen me sfidat dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm. Për të trajtuar një sërë problematikash që e mundojnë prej vitesh këtë institucion të arsimit të lartë, iu drejtuam me pyetje katër kandidatëve në garë.

Prof. Dr. Andon Kume deri më sot dekan i Fakultetit të Shkencave Politike Juridike ka hyrë në garën për rektor me bindjen se do të sjellë ndryshime në disa prej çështjeve që vazhdojnë të shqetësojnë këtë universitet dhe të çojë përpara arritjet e deritanishme. Për më tepër lexoni intervistën me të.

1. Cilat janë degët më të rrezikuara në UAMD për shkak të mungesës së interesit nga të rinjtë?

Degët më të rrezikuara në UAMD janë kryesisht ato të shkencave sociale si historia, sociologjia, disa degë në fushën e turizmit dhe mësuesisë.

2. Cilat janë politikat dhe strategjitë që parashikoni për të mbajtur gjallë këto degë? Si mendoni të përmirësoni tërheqjen ndaj degëve të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve siç janë fushat e detarisë dhe turizmit?

Mendoj se mënyra më e mirë për të tërhequr studentë në këto degë, të cilat janë të rëndësishme si për universitetin ashtu edhe për vendin, është përshtatja e kurrikulave me nevojat e tregut të punës. Gjithashtu, krijimi i një platforme ndërveprimi me palët e interesit do të ndihmojë që studentët të kenë një qasje reale në profesionet që zgjedhin përpara diplomimit, duke lehtësuar kështu edhe punësimin e tyre. Për disa degë të tjera në fushën e turizmit, si guida turistike dhe menaxhimi i hoteleve, duhet të përqafojmë përvojat e vendeve fqinje në turizëm si Mali i Zi, Greqia dhe Turqia, dhe të lidhim diplomat tona me licencimin e këtyre profesioneve. Në programet e detarisë, duhet të orientohemi drejt profesioneve që shërbejnë industrisë së transportit detar, logjistikës, organizimit dhe mirëmbajtjes së porteve dhe jahteve turistike.

Rritja e cilësisë së arsimit universitar:

1. Cilat janë strategjitë tuaja për të rritur cilësinë e arsimit në UAMD?

Mendoj se mënyra më e mirë për të rritur cilësinë e arsimit në UAMD është aktivizimi në disa drejtime, duke filluar nga krijimi i një platforme ndërvepruese me palët e interesuara publike dhe private. Kjo do të na shërbejë për përmirësimin e kurrikulave sipas kërkesave të tregut të punës, përmirësimin e metodave të mësimdhënies dhe mësimnxënies nëpërmjet integrimit të teknologjisë së informacionit dhe nxitjen e kërkimit shkencor.

2. Si do të siguroni që stafi akademik të jetë i kualifikuar dhe i përkushtuar për të ofruar arsim cilësor?

Ne do të mbështesim dhe inkurajojmë stafin për kërkim shkencor nëpërmjet projekteve, do të organizojmë konferenca dhe kongrese në bashkëpunim me partnerët, dhe do të shkëmbejmë eksperienca me partnerë ndërkombëtarë për metoda interaktive të mësimdhënies.

3. A keni plane për të përmirësuar infrastrukturën dhe burimet akademike?

Po, planifikojmë krijimin e laboratorëve dhe klinikave të reja.

Shpenzimet e universitetit:

1. Si do të adresoni shpenzimet që shpesh janë vlerësuar si të tepruara në universitet?

Është e rëndësishme të kuptojmë se Ligji për Arsimin e Lartë ndan qartazi menaxhimin ekonomik nga ai akademik dhe përcakton përgjegjësitë e këtij procesi. Ndarja vjetore e buxhetit, detyrë e senatit akademik, do të bëhet bazuar në një proces të detajuar dhe transparent. Fokusimi im si drejtues i universitetit do të jetë orientimi i shpenzimeve në drejtim të nxitjes dhe promovimit të stafit akademik dhe përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies, pa lënë pas dore kushtet e procesit mësimor.

2. A parashikoni ndryshime në menaxhimin e buxhetit të universitetit për të përmirësuar efikasitetin financiar?

Ndryshimet në menaxhimin e buxhetit do të jenë të bazuara në informacionin e disponueshëm për fondet dhe mundësitë e financimit. Rektori dhe senati akademik do të jenë gjithmonë në oponencë me mënyrën e zbatimit të buxhetit, duke garantuar efikasitetin e tij.

Kërkimi shkencor dhe lufta ndaj plagjaturës në epokën e IA-së:

1. Cilat janë politikat tuaja për të përmirësuar kërkimin shkencor në UAMD?

Do të investohem në krijimin e një rrjeti me universitete partnere për të bashkëpunuar në fushën e kërkimit shkencor dhe të krijoj një strukturë ndihmëse akademike që do të asistojë në shkrimin dhe menaxhimin e projekteve.

2. Si do të luftoni plagjaturën veçanërisht në epokën e inteligjencës artificiale, apo mendoni integrimin e saj?

Kontrolli antiplagjiaturë kërkon investim në softëare të dedikuar dhe krijimin e forumeve debatuese mbi aktivitetin kërkimor shkencor. Artikujt apo disertacionet do të jenë produkt i debateve akademike në departamente apo njësi kryesore, duke minimizuar kështu fenomenin e plagjiaturës. Integrimi i inteligjencës artificiale në luftën kundër plagjiaturës është i mundur dhe i nevojshëm.

3. Çfarë masash do të ndërmerrni për të inkurajuar kërkimin origjinal dhe inovacionin?

Do të krijoj një sistem vlerësimi moral dhe ekonomik për arritjet në publikime ose inovacione, duke përfshirë mbulimin e kostove të botimit dhe shpërblime për publikime në revista të indeksuara dhe regjistrim patentash.

Vlerësimi i diplomës në treg dhe fuqizimi i degëve të mësuesisë:

1. Si do të siguroheni që diplomat e lëshuara nga UAMD të jenë të vlerësuara në tregun e punës?

Vlera e diplomës përcaktohet nga niveli i punësimit. Ky nivel do të rritet falë procesit të pandërprerë të përshtatjes së kurrikulave me kërkesat dhe dinamikën e profesioneve.

2. Cilat janë planet tuaja për të fuqizuar degët e mësuesisë me studentë cilësorë?

Këto degë të rëndësishme për të ardhmen e vendit do të mbështeten me bursa dhe praktika të paguara nga universiteti.

3. Si do të përmirësoni afrimin e studentëve me tregun e punës dhe të siguroheni që ata të jenë të përgatitur për kërkesat e tij?

Përmirësimi i vazhdueshëm i kurrikulave do të jetë prioritet. Ky proces do të realizohet nëpërmjet krijimit të këshillave konsultative ad hoc me përfaqësues nga bota akademike dhe biznesi, ku do të trajtohen dhe miratohen kurrikulat.

Konviktet e munguara:

1. Çfarë parashikoni për të zgjidhur problemin e mungesës së konvikteve në UAMD?

Pavarësisht se çështja e konvikteve nuk është përgjegjësi direkte e universitetit, ne do të kërkojmë ngritjen e një organizmi konsultativ me përfaqësues nga Bashkia dhe institucione të tjera të Durrësit për të bërë të mundur që kapacitetet banuese, sidomos në zonën e plazhit, të ofrohen me qira lehtësuese jashtë sezonit turistik. Gjithashtu, do të kërkoj krijimin e një fondi vjetor në formë ndihme financiare për strehim studentësh, ku studentët do të aplikojnë njësoj si për bursat e tjera që ofrohen.

2. A ka plane konkrete për ndërtimin e konvikteve?

Jo, nuk ka plane konkrete për ndërtimin e konvikteve, por do të lobojmë tek organet përkatëse (bashkia, ministritë e arsimit dhe ekonomisë) ku universiteti do të jetë partner. Ka shembuj si në Universitetin e Pescarës në Itali, ku konviktet janë ofruar nga një konsorcium bashki, privat dhe universitet.

Cilat janë kërkesat dhe shqetësimet kryesore të studentëve gjatë takimeve me ta që duhet të adresoni nëse do të fitoni?

Kërkesat kryesore të studentëve janë transporti, krijimi i mundësive për të zhvilluar praktikat mësimore për t’u lidhur me tregun e punës, dhe akomodimi. Për të gjitha këto, por jo vetëm, do të jap maksimumin tim për t’i zgjidhur në një kohë sa më të shkurtër.

Si do të siguroheni që zëri i studentëve të dëgjohet dhe të merret parasysh në proceset vendimmarrëse të universitetit?

Do të sigurohem që qeverisja studentore të jetë një zë i fortë në vendimmarrjet e UAMD-së. Që në fillim të katërvjeçarit, do të kërkoj krijimin e një fondi të veçantë buxhetor për qeverisjen studentore dhe hartimin e një rregulloreje të posaçme sa më lehtësuese për përdorimin e këtij fondi. Përveç kësaj, do të zhvillojmë forume dhe takime të rregullta me studentët e çdo fakulteti për të dëgjuar shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.

@zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Reagon Policia e Shtetit për gjetjet nga kontrolli në jahtin që qëlloi me armë në det

Policia e Shtetit ka reaguar pas alarmit të ngritur mbrëmjen e së dielës për të shtëna të dyshuara...

UEFA kërcënon FIFA-n me veprime ligjore, përplasje e re për planin e privatizimit të Kupës së Botës

Më herët UEFA përshëndeti tërheqjen e FIFA-s nga plani, duke thënë se është koha për reformimin e institucionit,...

Prej 6 ditësh në flakë, zjarri në Librazhd ende jashtë kontrollit

Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të jetë aktiv prej gjashtë ditësh në zonën pyjore të fshatit...

Qëlluan me armë nga jahti dhe tentuan të largoheshin, 4 të ndaluar në Palasë

Sipas burimeve, janë ndaluar B. Çela, A.Kastrati, H. Noku dhe L.Haso, por ende nuk dihen rrethanat pse kanë...