Premiera “Rruga pa Emër” në Durrës, një shfaqje që nuk duhet humbur

Date:

Share post:


Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit shfaqi premierë komedinë e zezë “Rruga pa emër”, një komedi e shkruar eskluzivisht për trupën durrsake nga autori Cosmin Pana me regji të rumunit Vlad Trifas. Trupa prej 7 aktorësh, Xhejni Fama, Ervin Doko, Romir Zalla, Marvin Tafaj, Mimoza Marjanaku, Alesia Xhemalaj dhe Greta Cani, u ngjit në skenë duke sjellë copëza jete të realitetit ballkanas, ku rendja drejt parasë, pasurimit të shpejtë, nxjerr në pah shumë raporte të cënuara njerëzore, humbjen e vlerave dhe harrimin e kënaqësive të vërteta të jetës, duke shkuar dhe drejt rrezikjetës.

“Është një copëz jete e dy personazheve, rrugëtimit të tyre megjithë peripecitë që ka dhe sillet në formën e një filmi në teatër, që po ndiqet shumë në Rumani dhe regjisori ynë Vladi ka bërë një punë të jashtëzakonshme me ne”, shprehet një nga aktorët kryesorë të shfaqjes, Xhejni Fama.

Ashtu si dhe për pjesën tjetër të trupës, edhe për aktoren durrsake Mimoza Marjanaku kjo shfaqje është krejtësisht e veçantë për shkak të konceptimit regjisorial.

“Një eksperiencë shumë e bukur, një vënie ndryshe. Nuk dua të zbuloj shumë, por është një shfaqje që nuk e kanë parë herë tjetër. E bukura është se kjo shfaqje është shkruar për trupën tonë. Edhe autori i shfaqjes që erdhi dje ishte shumë i emocionuar dhe u shpreh se kishim kaluar pritshmëritë e tij.”

Jo vetëm nga ana regjisoriale, por dhe skenografia e shfaqjes “Rruga pa emër” sjell risi për publikun duke e zhveshur skenën e teatrit nga format klasike dhe sjellë një shfaqje që të përfshin me thjeshtësinë dhe njëkohësisht dramat e forta që mbart. Në një botë ku personazhet shpesh jetojnë një jetë të diktuar nga rrethanat, duhet të prekësh fundin që të mundesh të kthehesh pas nëse të ofrohet një shanc i dytë.

Regjisori e ka konceptuar shfaqjen si një film brenda teatrit, ku ngjarjet kryesore zhvillohen pranë një rruge pa emër, në një korije, atje ku fuqia e parasë zhvlerësohet dhe del në pah bota e krimit dhe fuqia e natyrës. Hap pas hapi, gjithçka zbulon maninë e individit që rend drejt parasë duke besuar se vetëm prej saj arrihet lumturia dhe dashuria e vërtetë, pavarësisht çfarë bën. Loja e bukur e aktorëve që ngërthejnë jetën e personazheve të ndryshëm në një botë që tingëllon tipike ballkanase e afron publikun me realitetin. Çdo aktor vjen në rolin e tij duke zbuluar veçantitë dhe dilemat e gjithsecilit prej personazheve. Një mekanik makinash, një tjetër punonjës servisi automjetesh, po hajdut, një nënë që mbron me fanatizëm vajzën e saj nga lëndimi, një vajzë në kërkim të lirisë dhe dashurisë së vërtetë, një i huaj kriminel, si dhe një e re në kërkim të të dashurit me më shumë para.

Ndërkaq, aktori Romir Zalla sjell tre role nën një emër. Atë të një poeti të arratisur në gjirin e natyrës, të një polici që për shkak të rrogës së vogël pranon të korruptohet dhe tregtarit ambulant, duke dëshmuar përplasjet e forta brenda individit që kërkon të gjejë vetveten dhe të përshtatet në një botë që i ngushtohet gjithnjë e më shumë, si lak në fyt.

“Janë drama që ne po kalojmë tani. Bota është e fokusuar te pasuria, të mirat e shpejta materiale që kanë dhe pasojat e veta dhe kemi harruar që njeriu kënaqësinë mund ta gjejë dhe tek gjërat e vogla.”, thotë Fama, që luan rolin e një mekaniku të ndjeshëm, gjithnjë në kërkim të dashurisë së vërtetë dhe pse kupton se materializmi e ka zhvlerësuar dhe atë e duhet të përshtatet.

Marjanaku, ndërkaq, vjen në rolin e nënës:

“Unë kam rolin e nënës. Ndoshta për shkak të instikteve të nënës që kam, pasi jam nënë dhe nuk jam munduar të ndjek asnjë model tjetër. Kam bërë veten.”

Gjatë shfaqjes, fenomene të ndryshme dalin në dritë duke nisur nga raportet e vështira dashurore, tradhtia, shfrytëzimi i padrejtë nga punëdhënësit, vjedhja dhe gjithçka pason me një zinxhir ngjarjesh, ku përfshihet dhe publiku.

Në përgjithësi, disa skena mund të ishin më të shkurtra pasi dialogjet binin në përsëritje të mesazhit që dilte qartë në pah. Pavarësisht kësaj shfaqja ofron risi dhe mundësi për të reflektuar mbi një sërë fenomenesh.

Sipas Teatrit të Durrësit, kjo është hera e tretë në historinë e tij mbi 70-vjeçare që trupa e tij realizon një bashkëpunim me regjisor të huaj. Dhe suksesi nuk ka munguar që në shfaqjen e premierës.

Artdashësit e pranishëm në sallë e duartrokitën gjatë shfaqjen, aktorët, regjisorin dhe autorët e saj. “Rruga pa emër” do të ngjitet në skenë dhe tri netët e ardhshme.

Vali QYRFYÇI

@zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Flakët djegin magazinën me fishekzjarre e lodra plastike në Durrës, dy zjarrfikës përfundojnë në spital nga asfiksia

Para se flakët të viheshin nën kontroll, një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu pasditen e së enjtes...

Zjarr i madh në Belsh, temperaturat e larta favorizojnë flakët; rrezikohen banesat

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme disa zona të bashkisë së Belshit, duke krijuar një...

Pastronte paratë e kokainës, gjykata greke i hap rrugë ekstradimit të Ilir Shtufit në Shqipëri

Biznesmeni Ilir Shtufi do të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi Gjykata e Apelit të Selanikut vendosi në favor të...

Dhunoi 2-vjeçarin, arrestohet edukatorja në Tiranë

Një edukatore në një kopsht privat në Tiranë është arrestuar, pasi ka dhunuar një të mitur. Në praga...