A vlen ftesa për t’u kthyer në Shqipëri?

Date:

Share post:

Nga Blendi Salaj

Ftesa drejtuar emigrantëve për t’u kthyer për të punuar në Shqipëri është një gjë e mirë, por më e mirë do të qe sikur përveç asaj llogarisë bazë “me laps dhe letër” të vinte në kandar edhe disa gjëra të tjera që po i largojnë në shifra të frikshme dekadën e fundit e po i mbajnë larg Atdheut shumë shqiptarë. Është pak si piramida e Maslow-t që paraqet nevojat e një njeriu për të qënë i lumtur. Llogaria “me laps dhe letër” që bën Kryeministri korrespondon vetëm me bazën e piramidës, nevojat fiziologjike; ajër, ujë, ushqim, strehim, veshje e riprodhim. Njerëzit që po largohen nga Shqipëria vitet e fundit i kanë këto – sido që për cilësinë e ajrit, sigurinë ushqimore, mungesën e ujit (të bekuarit ujë 24 orë) apo çmimet e banesave, mund të thonim ca gjëra aspak pozitive. Por po e mbyllim një sy. Po bëjmë gjoja sikur këto janë të zgjidhura – sepse janë minimumi. 

Pas nevoja bazë vjen siguria. Kjo do të thotë siguri fizike, siguri në biznes, siguri në punë etj. Ndodh në Shqipëri që fëmija e një politikani, të forti apo oligarku të të shtypë me makinë apo të të qëllojë me armë dhe të mos i hyjë gjemb në këmbë. Institucioni i policisë ka humbur besimin, aq kohë sa çështjet mbyllen, provat manipulohen dhe drejtësia nuk vihet në vend. Pse duhet të kthehet dikush nga Italia për t’u marrë me këta tipat e paprekshëm? Siguria në biznes këputet si një fije kashte. Vetëm këtë javë gjeni në media dy lajme me vendosje eksplozivi në biznese, njëri në Sarandë dhe tjetri në Shëngjin. Nuk po i hyj fare trysnive nga bizneset e të fortëve, konkurencës së pandershme të lavatriçeve të parave të pista, apo korrupsionit shtetëror që ushtron taksë të pashkruar “në laps e letër” mbi bizneset e pambrojtura. Siguria shëndetësore është ndoshta më e rëndësishmja. Nuk dua të flas për skandalet me onkologjikun, sterilizimin, check-upin etj. Këto thonë shumë për sigurinë e shëndetit në vendin tonë. Mund të them ama se shumë nga ata që ikin e s’vijnë e kanë në listën e arsyeve shëndetësinë.

Shkalla e tretë është dashuria familjare. E vetmja që i mban disa e që i kthen disa të tjerë. Këtë e kemi me bollëk, falë Zotit dhe s’është meritë e asnjë qeverie.

Pastaj vijnë në piramidë; respekti, vetëvlerësimi, njohja, liria. Këto kanë të bëjnë me dinjitetin, me vendin që individi ka në shoqëri. A mundet vallë shqiptari i sotëm të votojë për atë që zgjedh? A di shqiptari mesatar se pse hiqen e vihen ministrat? A ka ai llogaridhënien e institucioneve, siç e dikton sistemi demokratik? A ka ai apo ajo ndjesinë e kontrollit mbi jetën e vet? Të mirëqënies së fëmijëve të vet? Apo ndihet si një gjethe në erë, pre dhe rob i humoreve, pazareve të dhomave të pasme? Me këtë kodin zgjedhor ku sërish s’kemi mundësi as të votojnë përfaqësuesin që duan, e morëm edhe një shuplakë tjetët. Me sa kuptoj dikush mendon se ne nuk dimë se ç’është e mirë për ne e për fëmijët tanë, e po na mbron nga e drejta për të zgjedhur, e njëherësh po na zhvesh nga dinjiteti. Por Maslow provoi se dinjiteti është i nevojshëm.

Për majën e piramidës nuk do flas. Sepse maja është e paarritshme pa 4 shkallët e tjera deri aty. Por shpresoj të kuptohem kur them se nuk mjafton të ftosh emigrantët të vijnë. Duhet t’i dëgjosh njerëzit, jo vetëm ti të flasës, sepse, siç thoshte Presidenti Lyndon Johnson, “S’kam mësuar asgjë teksa isha duke folur”.

PS. Unë kam zgjedhur të jetoj në Shqipëri edhe pse jam prej shumë vitesh qytetar amerikan. Amerikanë i kam edhe fëmijët por dua t’i rris këtu, sepse e dua këtë vend kokëfortësisht dhe përballem me idiotësi të panevojshme çdo ditë e nuk heq dorë. Ajo që më mërzit është se përtej fjalëve të bukura, korrupsioni dhe pangopësia për para e disave nuk po e lëshon këtë vend. Shikoni ç’bëhet në SPAK. Po të kishin një thes të madh sa ta nxinte, do ta kishin futur krejt Shqipërinë brenda për ta grabitur.

spot_img

Artikuj të lidhur

Kosovë/Gjenden pa jetë një 27-vjeçar dhe një foshnjë

Një 27-vjeçar dhe një foshnjë janë gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës, 1 nëntor, brenda një...

Incidenti gjatë ekskursionit në Mal të Zi, lirohen 4 gjimnazistët e Durrësit

Katër gjimnazistë të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës janë lënë të lirë nga policia malazeze, pas...

Urdhri i dëbimit/ Shqiptari nga burgu federal në Brooklyn: “Ndoshta nuk do ta hap më atë derë”

Aleksandër Nilaj, shqiptari i ndaluar nga ICE, pas 20 vitesh në SHBA, ka publikuar ditët e fundit një...

Aksident në rrugën e Voskopojës, plagoset rëndë 41-vjeçari

Një 41-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi është përplasur nga një automjet në rrugën e Voskopojës. Raportohet se,...