“Palinuro”, anija shkollë e marinës ushtarake italiane, që ka ndaluar për një vizitë në portin e Durrësit është një nga 7 anijet më të vjetra ushtarake ende në shërbim. Për tri ditë rresht, anija 90-vjeçare ka hapur dyert për publikun duke demonstruar madhështinë dhe bukurinë e një anijeje-dëshmi e historisë së pasur detare të Italisë.
E ndërtuar në vitin 1934 si anije tregtare franceze, ajo kaloi në pronësi të marinës ushtarake italiane në vitin 1955 dhe që atëherë ka trajnuar kadetë të panumërt detar, ka marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme historike dhe ka promovuar diplomacinë detare dhe shkëmbimin kulturor në mbarë botën.


Samuele Mondino, Komandant i anijes prej një viti shprehet se është mjaft entuziast nga kjo ndalesë në Durrës, e cila është për herë të parë për të dhe ekuipazhin, por jo për “Palinuro”-n.
“Është një anije e veçantë dhe detyrat e saj janë të përgatisë brezat e ardhshëm të detarëve ushtarakë, si dhe të bëjë të njohur Italinë jashtë vendit. Nuk është hera e parë e Palinuros në Shqipëri, por për mua si komandant dhe ekuipazhin po. Kemi hapur dyert dhe njerëzit janë të interesuar. Bëjnë pyetje. Edhe ekuipazhi ka mundur të vizitojë qendrën e qytetit, të shkojnë në plazhet pranë dhe të flasin me vendasit.”
Palinuro u ndërtua fillimisht si një anije tregtare franceze e quajtur “Commandant Louis Richard” në vitin 1934. E ndërtuar në kantierin e anijeve të Anciens Chantiers Dubigeon në Nante, Francë, anija ishte projektuar si një anije barquentine, një anije me tre shtylla me një kombinim katror dhe velat e përparme dhe të pasme. Fillimisht u përdor për transport mallrash, kryesisht në tregtinë koloniale franceze. Në vitin 1951, anija u ble nga marina italiane për të shërbyer si zëvendësuese për anijen stërvitore Cristoforo Colombo, e cila i ishte dhënë Bashkimit Sovjetik si dëmshpërblim lufte pas Luftës së Dytë Botërore. Anija iu nënshtrua modifikimeve dhe përshtatjes së konsiderueshme në kantierin e anijeve Castellammare di Stabia në Itali. Transformimi përfshinte ndryshime në pajisjet e saj të manipulimit, akomodimit dhe pajisjeve të lundrimit për t’iu përshtatur rolit të saj të ri si një anije stërvitore. Anija u fut në Marinën Italiane më 16 korrik 1955. Me një gjatësi prej 69 metrash, Palinuro ka 15 vela që mbulojnë një sipërfaqe totale prej rreth 1000 metrash katrorë, gjë që e lejon atë të shfrytëzojë fuqinë e erës në mënyrë efektive.
Ndonëse jo të shumtë, për shkak të largësisë nga qendra e qytetit dhe hyrja e portit pasi anija është ankoruar në afërsi të kalatës 0 të portit, ata që patën mundësi ta vizitojnë që nga pasditja e së martës dhe në vazhdim u njohën nga afër me rëndësinë historike të Palinuro-s, dizajnin elegant dhe rolin e saj në marinën ushtarake italiane. Shumë prej vizitorëve janë shtetas të huaj që prej disa kohësh jetojnë në Durrës.
“Jetoj këtu tani. Kam qenë pjesë e ushtrisë italiane dhe kam shumë nostalgji. Sapo e dëgjova lajmin, nxitova të vij dhe ta vizitoj nga afër. Më rreh zemra fort”, u shpreh një pensionist italian.
Edhe disa shtetas ukrainas, mes të cilëve dhe mjaft fëmijë, ishin pjesë e vizitave të mesditës së të mërkurës në anije.
“Prej një viti jetojme këtu, sepse në Ukrainë situata nuk është e mirë. Ka luftë. E morëm vesh nga platformat online për anijen dhe erdhëm.”
E emëruar sipas lundruesit të lashtë grek Palinurus, timonierit legjendar të Eneas, nga kryevepra e Virgjilit “Eneida”, ndërsa po i afrohet njëqindvjetorit të saj, anija vazhdon të lundrojë dhe të frymëzojë brezat e rinj teksa mbetet simbol i trashëgimisë detare të Italisë dhe përkushtimit ndaj vlerave të detarit, traditës dhe miqësisë ndërkombëtare.
@zërionline


