Zjarri në rajonin e Prespës ka shkaktuar alarm të madh, duke djegur më shumë se 200 hektarë bimësi dhe duke u përhapur në disa drejtime. Mbrëmjen e kaluar flakët dolën jashtë kontrollit dhe rrezikuan të përfshijnë doganën e Goricës dhe fshatin Goricë e Madhe, ndërsa po përparojnë edhe drejt Pogradecit përgjatë Malit të Thatë.
Këtë mëngjes, në territorin e bashkisë Pustec, në Mal të Thatë, situata ka njohur një lehtësim të përkohshëm. Intensiteti i flakëve ka rënë. Pritet të vlerësohet më qartë nëse situata do të agravojë, për shkak të erës, duke kërkuar ndërhyrje nga ajri. Aktualisht, vatrat janë të veçuara dhe po mbahen nën kontroll, megjithëse zjarri ndodhet në një territor të thyer dhe të largët nga zonat e banuara.
Nga ora 05:30 e mëngjesit të sotëm, rreth 70 forca janë angazhuar në terren, përfshirë shërbimin e MZSH-ve, Forcat e Armatosura të Repartit Ushtarak Drenovë (Korçë), Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe shërbimin pyjor. Sfida kryesore është mbrojtja e bimësisë së lartë dhe izolimi i flakëve, duke ngushtuar perimetrin e zjarrit. Deri tani, sipërfaqja e djegur llogaritet të jetë rreth 200 hektarë, ku pjesa më e madhe përbëhet nga kullota, ndërsa një pjesë e vogël e kurorës së gjelbër është prekur nga flakët.
Autoritetet janë në pritje të vendimit për veprimet e mëtejshme, me ndërhyrjen nga ajri që duket të jetë alternativa më e efektshme për ndalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
@zërionline


