Edhe pas dy dekadash, në një fshat të thellë të Matit, “Shtëpia e Verdhë” mbetet një mister që ende intrigon shumëkënd. E përfolur si skenë e historive të errëta dhe të pabesueshme, Shtëpia e verdhë rikthehet përmes romanit më të ri të shkrimtarit dhe dramaturgut të mirënjohur Bashkim Hoxha.
“Shtëpia e Verdhë është e njohur në mbarë botën për lajmet e rreme që njollosnin UÇK-në dhe luftën e një populli për liri. E solla këtë temë sepse ka shumë filma dhe romane që trajtojnë si të vërtetë mashtrimin e madh që u përhap. Ishte ndjesia e shqiptarit, shkrimtarit, për të thënë një të vërtetë në një kohë kur të tjerët mashtrojnë,” shprehet Hoxha.


Lexues dhe dashamirës nga Shqipëria dhe Kosova u mblodhën buzë detit për të diskutuar mbi këtë vepër që shënon një tjetër arritje, një tjetêr sukses në karrierën e Bashkim Hoxhës. Ajo sjell në vëmendje një tematikë që ka tentuar të hedhë baltë mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj me akuzat për trafik organesh dhe varre masive, të përmendura në raportin e Dik Martit dhe më pas në librin e kujtimeve të Karla del Pontes.
I organizuar në hyrje të shëtitores “Taulantia”, aktiviteti u kthye në një festë të vërtetë të librit, duke zgjuar kureshtjen edhe të shumë vizitorëve vendas dhe të huaj që iu bashkuan të ftuarve në këtë mbrëmje që u shndërrua në ngjarjen më të madhe letrare të kësaj vere.
I pyetur për këtë event letrar në ambient të hapur, shkrimtari Bashkim Hoxha tha:
“Jemi mësuar që promovimet e librave t’i bëjmë në ambiente të mbyllura shkrimtarësh, por librin e shkruajmë për një lexues më të gjerë. Duke përfituar nga kjo stinë kur Durrësi është i mbipopulluar dhe tema e romanit tërheq edhe turistë nga Kosova, vendosëm ta bëjmë këtu. E rëndësishme është që festa e autorit u bë festë për shumë njerëz të tjerë. Kjo është një nga mënyrat më të ngrohta për të arritur tek lexuesi.”

“Shtëpia e Verdhë” nuk është thjesht një roman, por një ftesë për të reflektuar mbi të shkuarën dhe për të kërkuar të vërtetën që vjen dhe përmes një lenteje artistike. Leximi i romanit rrjedh bukur dhe të rrëmben që në fillim, teksa nis me linja të buta, ku ndërthuret ëndrra e një fëmije, pasioni për fotografinë, dhe dëshira për të shkëlqyer në botën e kinemasë me një skenar të fortë për shtëpinë e verdhë diku në Shqipërinë e largët.

Raporti me të vërtetën dhe dëshmitë e mbajnë mbërthyer lexuesin e romanit, që përpiqet të kuptojë më shumë përmes personazheve letrare për shtëpinë e përfolur të horrorit.
I ndërtuar si një roman-skenar, “Shtëpia e Verdhë” përshfaqet e plotë dhe të nxit imagjinatën teksa të rrëmben në rrjedhën e vet. Romani nis me një fëmijë ëndërrimtar dhe përfundon me imazhin e një tjetër fëmijë që sheh tej horizontit dhe ëndërron botën e madhe, pa menduar për trillet e saj, botën e gënjeshtërt që shpesh krijohet për të mbajtur mendjet mbërthyer dhe zhvilluar interesa të caktuara gjeopolitike dhe ekonomike.
“Shtëpia e Verdhë është një vepër shumë e veçantë për një ngjarje politike që nuk ka qenë e izoluar, po një ngjarje ndërkombëtare, që përveç pështjellimit dhe dezinformimit, u fut në një kontekst të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve për Kosovën, dhe këtu gjërat ndërlikohen më tej. E përgëzoj Bashkimin për intuitën e shkrimtarit për temën e trajtuar,” u shpreh ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi.
Ndërkohë, Bujar Hudhri, botuesi i romanit “Shtëpia e Verdhë,” tha:
“Duke qenë në mes të këtyre ngjarjeve si personazh, si dialogues, si kronikan, po edhe si dramaturg, Bashkimi i jep letërsisë së tij një cilësi tjetër në krahasim me shumë kolegë të tij dhe e bën librin shumë tërheqës. Dialogët e zhdërvjellët dhe librat e tij jo voluminozë e bëjnë Bashkimin të tërheqë vëmendjen e lexuesit.”
Mbrëmja letrare u shoqërua me ekspozimin e shumë fotove dëshmi të pasojave të luftës në Kosovë, si dhe punime në pikturë dhe skulpturë të artistëve vendas dhe tre piktorëve nga Mitrovica, të cilët falënderuan autorin e romanit që i ftoi të jenë me pjesë integrale e atmosferës në këtë ngjarje letrare, ku të thuash të vërtetën kthehet në art.


Historia dhe arti u ndërthurën në këtë mbrëmje vere për të ofruar një perspektivë të re dhe për të shuar zërat mbi skenarin e errët të shtëpisë që ende tërheq vëmendjen dhe interesin e shumëkujt mbi arsyet pse ajo shtëpi e çfarëdoshme në Gurrë të Matit, shtëpia e verdhë, u zgjodh dhe jo një tjetër. Ca të vërteta mësohen vetëm duke e lexuar romanin.
Vali Qyrfyçi


