Paraditen e sotme ka nisur hedhja e shortit publik për ndarjen e 154 apartamenteve 1+1 në zonën e re për zhvillim në Spitallë. Megjithatë, lagjja e re nuk është ende gati për banorët, pasi infrastruktura e pallateve të reja është ende në proces.

Javën e kaluar, 391 familje përfituese u njoftuan për vendndodhjen e banesave të tyre të reja pasi morën pjesë në shortin publik, ndërsa sot janë shpërndarë apartamentet e strukturës 1+1. Procedurat po vijojnë normalisht dhe përfituesit vijnë nga të gjitha njësitë administrative të bashkisë Durrës, të cilët mbetën të pastrehë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.


Pritet që brenda një kohe të shkurtër, 545 familjet përfituese të apartamenteve 2+1 dhe 1+1 të ndërtuara në Spitallë të sistemohen në shtëpitë e reja. Nënkryetari i bashkisë, Gentian Kallmi, deklaroi se çelësat do të dorëzohen shumë shpejt dhe banorët do të njoftohen përmes njësive administrative për tërheqjen e tyre.
Në total, 545 familje kanë përfituar nga dy shortet e hedhura ditët e fundit, ndërsa pritet të zhvillohet dhe shorti për apartamentet 3+1. Ndërkohë, firmat zbatuese të projektit vazhdojnë punimet për përfundimin e infrastrukturës së nevojshme që duket ende larg përfundimit brenda muajit shtator.
©️zërionline


